Zgjedhjet lokale mbaruan, por Komisioni Shtetëror Zgjedhor doli me të dhëna jozyrtare, që do të thotë se nesër do t’i shpallin numrat përfundimtarë të votave për të gjitha partitë, në të gjitha komunat. Megjithatë, sipas analizave të partive rezultati tanimë është i njohur, shumicën e komunave në këto zgjedhje i fitoi VMRO-DPMNE-ja opozitare, ndërkaq çekun për këtë humbje të LSDM-së, e pagoi lideri i saj Zoran Zaev, i cili në konferencë për shtyp dha dorëheqje nga posti i kryetarit të partisë dhe kryeministrit, shkruan Portalb.mk.
Qyteti i Shkupit, i cili menaxhohej nga Petre Shilegov i LSDM-së, tanimë ka kryetare të re, të parën grua prej pavarësisë së Maqedonisë, gjegjësisht kandidaten e pavarur, e cila është mbështetur nga VMRO-DPMNE, Danella Arsovska. Mbase kjo ishte dhe pika e thyerjes së Zaevit për të dhënë dorëheqje, i cili paraprakisht kishte premtuar që nëse e humb kryeqytetin, do ë largohej nga pozita e kryeministrit.
Nga ana tjetër, në bllokun shqiptarë, partia në pushtet ka korrur fitore në 10 komuna, megjithatë e humbi qytetin e selisë së saj në Reçicë, Tetovën. Prandaj, Ahmeti për dallim prej herëve tjera të zgjedhjeve ku në Reçicë festonte me bashkëpartiakët e tij, kësaj radhe ju tha gazetarëve natën e mirë se do shkojë të festojë në Kërçovë. Në vendlindjen e tij, ku kryetari Dehari mbajti konferencë për shtyp, derisa njërin krah të tij e kishte të shtrirë në qafën e Ahmetit, ndërkaq tjetrin në mikun e tij Adem Karaga. Kryetarja e deritanishme e Tetovës, që ishte dhe kandidate e B D I-së, Teuta Arifi, pa kryetarin, por me funksionarë tjerë, doli në konferencë për shtyp për të pranuar verdiktin e popullit dhe njëkohësisht ta urojë kryetarin e ri të qytetit i cili është edhe kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami. Besa, gjithashtu njoftoi se ka fituar edhe në Zhelinë, komunë të cilin e ka udhëhequr në mandatin e kaluar.
https://youtu.be/3KL6qd-CoFU
Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët, festoi kryesisht në Gostivar. Atje ku kryetari aktual i komunës, Arben Taravari e fitoi edhe një mandat. Sipas partisë me të cilin udhëheqë Sela, ata kanë fituar edhe në Vrapçisht. Sidoqoftë, në Dibër, do të duhet të votohet për të tretën herë, pasi që kandidati i opozitës, Bekim Pocesta nuk arriti për shumë pak që të fitojë përballë Hekuran Dukës, me të cilin këtë herë garuan vetëm në një vendvotim, të cilin KSHZ-ja në rrethin e parë e shpalli të pavlefshëm.
PDSH-ja me kryetar Menduh Thaçin, fitoi vetë një Komunë. Azem Sadiku do të vazhdojë të udhëheqë me Studeniçanin.
Alternativa, nuk fitoi asnjë komunë. Në Çair, Bekim Sali, humbi përballë Visar Ganiut, i cili tanimë e fitoi mandatin e dytë për të udhëhequr me komunën.
Sido që të jetë, dorëheqja e Zaevit ka hapur shumë dilema, se kush do të udhëheqë me postin e kryeministrit, kush do të jetë kryetar i ri i LSDM-së. Nëse dorëheqja e tij është e parevokueshme, apo nuk do t’ia pranojë partia, nëse do të ketë shumicë të re parlamentare, nëse do të ketë zgjedhje të reja parlamentare, koalicion të gjerë, qeveri teknike e çka jo.
Prej nesër pritet që menjëherë të trajtohen temat në fjalë dhe të analizohen rezultatet dhe porositë e këtyre zgjedhjeve.
https://youtu.be/LgdC4akFsJY
VIDEO:
https://youtu.be/ws6QzCBp0wg