Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka ngritur aktakuzë kundër një 57-vjeçari nga Kumanova për urdhërimin e vrasjes së tre personave, transmeton Portalb.mk.
“Nxitja, është kryer për hakmarrje të vdekjes së bijës së tij e cila ka humbur jetën në aksident, ndërsa ajo ka qenë bashkudhëtare. Vrasja për të cilën i pandehuri e ka porositur, është dashur të kryhet ndaj dy personave të cilët kanë qenë në automjet me vajzën dhe ndaj të atit të vozitësit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore Publike.
Nga Prokuroria më tej sqarojnë se i akuzuarit, që ta kryej veprën, ka përdorur një borxh të mëparshëm parash që ia ka dhënë hua njërit prej denoncuesve, të dëmtuar në këtë rast. Përkatësisht, i akuzuari të dëmtuarit i ka dhënë hua 50.000 euro, e cila shumë është rritur për shkak të kamatës, me çka borxhi është rritur në shumë prej 80.000 euro. Duke përfituar nga fakti se i dëmtuari i kishte borxh, i pandehuri në periudhën nga prilli deri në gusht 2021, në lokacione të ndryshme në Kumanovë, i propozoi të dëmtuarit, e më pas një personi tjetër, po ashtu i dëmtuar, që në vend se t’ia kthente 80.000. euro, t’ia falte atë borxh dhe në të njëjtën kohë t’i jepte edhe 40 mijë euro të tjera, e në këmbim, u kërkoi që t’u merrnin jetën tre personave. Duke kuptuar se nuk po vepronin sipas marrëveshjes, i pandehuri disa herë, përveç parave të ofruara për kryerjen e vrasjeve të kërkuara, ka filluar t’i kërcënojë viktimat me jetë ata dhe familjet e tyre. Të kërcënuarit kanë refuzuar të kryejnë vrasjet dhe kanë denoncuar rastin në polici.
Krahas aktakuzës, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Kumanovë, i dorëzoi propozim të veçantë gjykatës kompetente për vazhdimin e masës së paraburgimit për të akuzuarin, duke pasur parasysh se rrethanat për të cilat është caktuar paraburgimi ende ekzistojnë dhe po ashtu rreziku i arratisjes nëse i pandehuri mbrohet në liri, si dhe rreziku i përsëritjes dhe përfundimit të veprës penale ose mundësisë së kryerjes së një vepre të re penale.
Në fund të muajit nëntor me 7 vjet e 6 muaj burg u dënua Nikolla Stefanovski nga Kumanova, shoferi i cili akuzohej për vepra të rënda kundër sigurisë në komunikacion me pasojë vdekjen, për një aksident automobilistik në të cilin humbi jetën e mitura nga Kumanova Jelena Filipoviq.