Policia e Tetovës ka konfiskuar mbi 26.000 fishekzjarre dhe mjete të tjera piroteknike, të gjetura në veturën e një shtetasi nga Shkupi, i cili është ndaluar menjëherë.
“Gjatë kontrollit të paraparë, dhe pas informacioneve të konfirmuara paraprake operative, zyrtarët policorë të SPB Tetovë-Stacioni Policor për Siguri në Komunikacionin Rrugor Tetovë kanë privuar nga liria në stacionin e pagesës rrugore në Zhelinë personin me inicialet N.I. (53 vjeç) nga Shkupi, në automjetin e të cilit ‘Fiat Doblò’, në pronësi të një kompanie të Shkupit, janë gjetur 26.540 fishekzjarre dhe mjete të tjera piroteknike dhe 77 kilogramë duhan. Materialet e gjetura janë fotodokumentuar dhe konfiskuar për ekspertizë dhe N. I. është ndaluar në Stacionin Policor të Tetovës për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit”, njoftojnë nga SPB-Tetovë, transmeton Tetova News.
Kundër të arrestuarit N.I. do të bëhen parashtresa përkatëse, thonë nga policia e Tetovës.