Omicron pritet të jetë varianti mbizotërues i koronavirusit në 27 vendet e Bashkimit Evropian nga mesi i janarit, tha të mërkurën zyrtarja më e lartë e bllokut mes shqetësimeve për një rritje dramatike të infeksioneve në Evropë.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se BE-ja është e përgatitur mirë për të luftuar Omicronin me 66.6% të popullsisë së saj të vaksinuar plotësisht. Ajo shprehu zhgënjimin që pandemia do të ndërpresë përsëri festimet e fundvitit, por tha se ishte e bindur që BE-ja ka “forcën” dhe “mjetet” për të kapërcyer pandeminë e Covid-19.
“Si shumë prej jush, jam e trishtuar që edhe këtë radhë Krishtlindjet do të ndikohen nga pandemia”, tha ajo.
Shkalla e vaksinimit në mbarë BE-në nuk është e ngjashme. Disa vende të BE-së, si Portugalia dhe Spanja, kanë imunizuar shumicën dërrmuese të njerëzve të tyre, ndërsa vendet e tjera mbeten shumë prapa. Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, në Bullgari, vetëm 26.6% e banorëve janë të vaksinuar plotësisht.
Evropa mund të ndjekë zhvillimet në Britani për të kuptuar më mirë atë që e pret nga përhapja e Omicronit. Zyrtarët britanikë të shëndetësisë thonë se brenda disa ditësh Omicroni do të jetë varianti dominues i Covid-19 në vend. Drejtoresha e Agjencisë qeveritare të Shëndetësisë në Britani, Dr. Jenny Harries, tha se Omicron po shfaq një normë rritjeje shumë të lartë në krahasim me variantet e mëparshme.
“Rritja e shpejtë e virusit përbënë një vështirësi të madhe. Përhapja e tij po dyfishohet me një ritëm shumë të shpejtë. Varianti Omicron po dyfishohet më shpejtë dhe infeksionet me të po shtohen me një ritëm më të shpejt”, tha zonja Harries para një komisioni parlamentar të mërkurën. “Në shumicën e rajoneve në Britani, tani infeksionet me Omicron po dyfishohen në më pak se dy ditë. Kur filloi të shfaqej varianti Omicron, ne vlerësuam se dyfishimi rasteve ndodhte në rreth katër ose pesë ditë.”
Zonja Harries tha se varianti paraqet “ndoshta kërcënimin më të madh që kemi patur që nga fillimi i pandemisë”.
Britania regjistroi të mërkurën 78,610 infeksione të reja, totali më i lartë i konfirmuar ditor që nga fillimi i pandemisë. Por vdekjet mbetën në nivel shumë më të ulët sesa në valët e mëparshme të rritjes së rasteve në vend, përpara se vaksinat kundër koronavirusit ishin të disponueshme për publikun e gjërë.
Rritja e numrit të rasteve me variantin Omicron ka bërë që më shumë vende të vendosin masa të reja kufizuese.
Von der Leyen tha se BE-ja përballet me një sfidë të dyfishtë, me një rritje masive të rasteve në javët e fundit për shkak të variantit delta dhe rritjes së infeksioneve me variantin Omicron.
“Ne po shohim një numër në rritje të njerëzve që po sëmuren, një barrë më të madhe mbi spitalet dhe për fat të keq, një rritje të numrit të vdekjeve”, u tha ajo ligjvënësve të Parlamentit Evropian.
Von der Leyen këmbënguli se rritja e infeksioneve në Evropë tani vazhdon të shkaktohet “pothuajse ekskluzivisht” nga varianti delta. Ajo tha se lufta kundër skepticizmit ndaj vaksinave është thelbësore, veçanërisht në vendet e BE-së me shkallë më të ulët të vaksinimit.
Duke i bërë jehonë komenteve të zonjës von der Leyen, kancelari gjerman Olaf Scholz u zotua të mërkurën se qeveria e tij e re do të bëjë gjithçka që është e mundur që Gjermania të kapërcejë pandeminë e koronavirusit dhe t’i lejojë njerëzit të kthehen në një jetë normale.
“Nuk kemi kohë për të humbur”, tha kancelari Scholz, i cili mori detyrën ndërsa Gjermania po përballet me valën e saj më të madhe të infeksioneve që nga fillimi i pandemisë.
Ndërsa qeveritë e vendeve të BE-së po përgatiten për sezonin e festave, Greqia, Italia, Spanja dhe Hungaria filluan të imunizojnë fëmijët e moshës 5-11 vjeç me vaksina kundër Covid-19.
Udhëheqësit e vendeve të BE-së do të mbajnë një takim të planifikuar të enjten në Bruksel./ VOA