Në qytetin e Tetovës sot po mbulohen gropat e rrugëve të qytetit. Kryetari i komunës, Bilall Kasami ishte në terren për t’i ndjekur punët në rrugën “Vëllezërit Milladinov”. Ai tha se përkundër gjendjes që është komuna e Tetovës në aspektin edhe organizativ edhe financiar, ata arritën në mirëkuptim edhe me kompaninë që sa më shpejtë të organizojnë këtë aksion për mbulimin e gropave, shkruan Portalb.mk.
Kasami tha se Komuna ka vepruar pas reagimt të qytetarëve të cilët kërkonin që sa më shpejtë të meremetohen këta gropa sepse dëmtonin veturat e tyre. Ai shtoi se projekti i sanimit të gropave është në kuadër të planit vjetor të vitit aktual. Ndërkaq i pyetur për atë sa do të kushtojë sanimi i gropave, Kasami tha se nuk e ka këtë si informatë, pasi siç tha ai sepse është një kornizë e furnizimit vjetor e cila është në fazë vjetore.
“Veçmë kemi biseduar me Sektorin për veprimtari komunale që në planin vjetor për vitin 2022 të futim asfaltimin e tërësishëm të të gjithë këtyre rrugëve dhe rrugicave të cilat janë të dëmtuara dhe siç e shihni vetë është e vështirë edhe të mbulohen gropat. Në vitin e ardhshëm ne do të parashohim që këto rrugë të asfaltohen tërësisht dhe njëherë e përgjithmonë këtë problem ta zgjidhim.” tha Bilall Kasami.
Ai shtoi se për vitin 2022 për sanimin e rrugëve janë paraparë 10 milionë denarë nga ku beson se do të gjejë mirëkuptimin e këshilltarëve mbledhjen e radhës kur parashihet miratimi i buxhetit.
Ndryshe, Kasami u bëri thirrje qytetarëve që ti paraqesin në komunë gropat nëpër rrugët e tyre, që ata të bëjnë plan dhe të intervenojnë.
“Ju bëj ftesë qytetatëve që nëpër të gjithë rrugët e tyre, lagjet ku në rrugët dhe rrugicat janë paraqitur gropa të tilla, ti paraqesin në komunë dhe të mundet pastaj ne të bëjmë një plan të intervenojmë edhe përkundër se ndërmarrja ka bërë një incizim dhe ne i kemi informatat bazë në bazë të cilave do të veprojmë për të mbuluar gropat”, shtoi Kasami.