Ballina Aktualitet VIDEO/Presidentja Osmani në fjalimin vjetor: Kosova është projekt i rëndësishëm amerikan, misioni...

VIDEO/Presidentja Osmani në fjalimin vjetor: Kosova është projekt i rëndësishëm amerikan, misioni im buron nga vullneti qytetarë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur fjalimin vjetor të saj në Kuvendin e Kosovës, ku edhe ka diskutuar çështje lidhur me fushëveprimtarinë e institucionit që ajo drejton dhe siç parashihet me Kushtetutën e Kosovës, shkruan KultPlus.

Osmani fjalimin e saj e hapi duke kujtuar zgjedhjet e 14 shkurtit, dhe gjithashtu edhe pandeminë, e cila po vazhdon të jetë një problem global.

“Pas zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit, përfaqësuesit tuaj duke respektuar vullnetin tuaj të qartë, më dhanë besimin që të udhëheq me institucionin më të lartë në vend. Gjej rastin që edhe njëherë t’iu falënderoj për këtë besim. Pandemia ka ndryshuar jetërat tona duke ndryshuar edhe mënyrën tonë të jetesës. Dua që se bashku me ju t’i kujtojmë bashkëqytetarët tanë që humbën jetën nga ky virus. Ne na duhet përkushtim global për ta luftuar pandeminë dhe për ta ruajtur ambientin. Si presidente kam bashkëpunuar me institucionet që qytetarët të kenë qasje në vaksina. Sot Kosova radhitet në vendet më të suksesshme në luftimin e pandemisë”, tha e parja e shtetit.

Me falënderime të përzemërta për aleatët e Kosovës, me një theks të veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidentja ka bërë thirrje që qytetarët ta marrin dozën e tretë të vaksinës.

“Ne jemi të lumtur që mund të themi se Kosova është projekti më i rëndësishëm amerikan”, u shpreh më tej Osmani.

Osmani gjatë fjalimit të saj ka bërë të ditur se zyrën e presidencës e ka shndërruar në zyrë të hapur dhe transparente për të gjithë qytetarët.

“Institucioni që drejtoj është shpallur si institucioni më transparent në rajon, ndërkaq këtë përkushtim për transparencë të plotë karshi publikut, gjatë këtij muaji do ta dërgojmë në një nivel tjetër, ku në mënyrë proaktive do të publikojmë shpenzimet e mia dhe të kabinetit tim, por edhe ato të viteve paraprake, ku dëshmohet që përderisa shpenzimet tona janë shumëfish më të vogla, puna jonë për vendin është shumëfish më e madhe”, tha ajo.

Osmani në fund kujtoi edhe fjalimin e saj të parë inagurues si presidente e vendit, duke thënë se ne jemi tepër pak për të qenë të ndarë.

“Unë do të vazhdoj të punoj për ruajtjen e unitetit të qytetarëve dhe krijimin e një ambienti të shëndosh dhe ndërveprimi mes nesh dhe bashkëpunimi në çështje madhore jo vetëm të jetë i mundur po të shndrrohet në parim të pakapërcyeshëm për secilin prej nesh. Sikur e kam thënë në fjalimin tim inagurues si presidente, ne jemi tepër pak për të qenë të ndarë, ne duhet të kujtojmë vazhdimisht që vlera në të cilat janë të ndëruara shoqëria jonë bazohen në harmoninë e ndërsjellë”.

Falënderimet e saj në fund ishin për të gjithë qytetarët, duke rikujtuar se roli dhe burimi i saj burojnë nga vullneti qytetarë.

“Si presidente e juaja, si Presidente e të gjithë qytetarëve të Kosovës në çdo hap roli dhe misioni im burojnë nga vullneti qytetarë, Dua të ju falënderojë për besimin tuaj, e duke ju uruar shëndet të plotë juve dhe të gjithë qytetarëve, ju falënderojë shumë”, tha në fund ajo.

Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe shumica e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk qëndruan në sallë atëherë kur Osmani po mbante fjalimin e saj. /KultPlus.com

https://youtu.be/Mh2_DaSK1I8