Ballina Aktualitet Ndotja e ajrit po shkakton shkallë të lartë infertiliteti në të gjithë...

Ndotja e ajrit po shkakton shkallë të lartë infertiliteti në të gjithë Ballkanin Perëndimor

Ekspozimi i zgjatur ndaj ajrit të ndotur në Ballkanin Perëndimor mund të zvogëlojë fertilitetin e grave me më shumë se 10%, shanset për ngjizje të embrionit në ditët e ndotjes së lartë zvogëlohen dhe shtohet mundësia e abortit, konstaton Fondi Evropian për Ballkanin, i cili me partnerët në rajon zbaton fushatën “Ballkani i bashkuar për ajër të pastër”, transmeton Portalb.mk.

Këtë muaj, faza e dytë e fushatës përqendrohet në informimin e qytetarëve për rënien e fertilitetit dhe normat më të larta të infertilitetit për gratë dhe burrat në të gjithë Ballkanin Perëndimor të shkaktuar nga ndotja e ajrit. Vendet në rajon po përjetojnë rënie të vazhdueshme të popullsisë.

Hulumtimet shkencore kanë konfirmuar se incidenca e abortit spontan dhe foshjnave të lindur të vdekura është dukshëm më e lartë gjatë periudhave të ekspozimit ndaj ajrit të ndotur, sipas disa studimeve. Studimet tregojnë gjithashtu se gratë që jetojnë në zona të ndotura kanë më pak vezore të shëndetëshme, shkallë më të ulët të fertilitetit dhe shkallë më të lartë të dështimit të implantimit të embrionit gjatë fekondimit in vitro sesa ato që nuk janë të ekspozuara ndaj ndotjes së ajrit. PM 2.5 zvogëlon fertilitetin e femrave, kurse qytetet e ndotura në të gjithë rajonin emetojnë mesatarisht dyfishin e mesatares së lejuar vjetore, gjë që mund të ulë lindshmërinë deri në 10%.

Tek meshkujt nga ana tjetër, ndotja nga grimcat e imëta arrin në testikuj, duke shkaktuar ulje të prodhimit të spermës, më pak lëvizshmëri të spermës dhe aborte më të shpeshta për shkak të vdekjes së programuar të qelizave. Komponimet sulfate të formuara në procesin e djegies së qymyrit rrisin rrezikun e abortit me 13%. Steriliteti shkaktohet edhe nga ndotja plastike. Polistireni, një lloj plastike që në gjendjen e tij mikro dhe nano mund të gjendet në ushqim, ujë dhe ajër, ndikon në zhvillimin e hershëm të embrionit dhe mund të shkaktojë zhvillim jonormal dhe lindje të parakohshme.

Ndotja e ajrit me grimca të imta, metale të rënda, mikro dhe nano plastikë dhe substanca të tjera çon në rritje të abortit edhe në rastet e fekondimit in vitro, pasi ul suksesin në laboratorët ku kryhet ky proces.

Aktivistët përsërisin thirrjen për zgjidhje të menjëhershme të problemit kronik të ndotjes së ajrit që mbyt vendet e Ballkanit Perëndimor:

Ndërprerje të përdorimit të qymyrit për prodhimin e energjisë elektrike është masa më e rëndësishme për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe një rol të rëndësishëm mund të luajë zëvendësimi i kaldajave shtëpiake me zgjidhje më të pastra.
Zbutja e efekteve të dëmshme të ndotjes së ajrit duke reduktuar përdorimin e plastikës njëpërdorimshme, si dhe zëvendësim i fibrave sintetike me ato natyrale.
Institucionet kompetente duhet të punojnë në politika për promovimin e shtatzënive të shëndetshme, në mënyrë që të përmirësojnë njohuritë e grave dhe burrave për këtë proces dhe për të ndihmuar nënat e ardhshme të mbrojnë më mirë veten dhe fetusin.
Është e patjetërsueshme sigurimi filtrave të brendshëm për ajrin me efikasitet të lartë, veçanërisht për institucionet e veçanta që merren me trajtimin e infertilitetit.
Nevojitet edhe përmirësim i kapaciteteve të qendrave diagnostikuese si dhe të kryhen studime të përbashkëta që do të përdorin të dhëna për të monitoruar dhe matur efektet e ndotjes së ajrit në infertilitet, lindje të parakohshme, sëmundje dhe vdekshmëri neonatale në Ballkanin Perëndimor.
Analiza eksperte për efektet e dëmshme të ajrit të ndotur në fertilitetin tek gratë dhe burrat në rajon është bërë për fushatën “Ballkani i bashkuar për ajër të pastër” nga Miodrag Stojkovicq, profesor i shquar i gjenetikës njerëzore dhe themelues i spitalit special për trajtimin e infertilitetit në Leskovc. Ai paralajmëroi se pa aktivitete të ligjvënësve dhe autoriteteve nuk mund të ketë sukses në parandalimin e sëmundjeve që lidhen me ndotjen – përfshirë infertilitetin.