Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se kërcënimi ushtarak i Rusisë në Ukrainë bëri që stafi i ambasadës amerikane të evakuohej nga Kievi.
Kjo deklaratë erdhi pas thirrjes së presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky që të ruhet qetësia pasi armiku më i madh është krijimi i panikut.
Ndërkaq, këshilltari i lartë i Kremlinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, ka hedhur poshtë paralajmërimet e SHBA-ve për një sulm të mundshëm mbi Ukrainën duke u shprehur se “histeria ka arritur kulmin”.
Sipas BBC, kriza vjen tetë vjet pasi Rusia aneksoi gadishullin jugor të Krimesë. Që atëherë, ushtria e Ukrainës është përfshirë në një luftë me rebelët e mbështetur nga Rusia në zonat lindore pranë kufijve të Rusisë.
Të shtunën u bënë përpjekje për të ulur tensionet në rajon. Në një telefonatë me presidentin rus Vladimir Putin, presidenti Joe Biden paralajmëroi liderin rus për “kosto të rënda” nëse Rusia pushton Ukrainën
Ndërkohë, Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, Ben Wallace, i krahasoi përpjekjet e fundit diplomatike perëndimore si një përpjekje si ato të para Luftës së Dytë Botërore për zbutjen e Gjermanisë naziste, kur as marrëveshja e Mynihut me Hitlerin nuk arriti të parandalonte katastrofën.