Në Ukrainën lindore vazhdojnë të shtohen tensionet për shkak të rrezikut të pushtimit nga Rusia. Sidoqoftë, në qytetin lindor Avdiivka, lufta nuk ka pushuar ndonjëherë që nga viti 2014. Qyteti ndodhet pranë zonave të kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Kremlini dhe është vendosur disa herë në epiqendër të luftimeve gjatë këtyre viteve. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Ricardo Marquina, vizitoi këto ditë vijën e frontit.
Këto janë llogoret e ndërtuara nga ushtarët ukrainas. Këtu forcat ukrainase janë bërë më të forta pas vitesh luftimesh me separatistët, që mbështeten dhe armatosen nga Moska. Vetëm 50 metra më tej, armiku gjithashtu vëzhgon çdo lëvizje.
Ushtarët që shërbejnë këtu thonë se lufta është realisht kundër Rusisë dhe se ata po luftojnë për mbijetesën e Ukrainës.
“Është folur prej kohësh për një pushtim të mundshëm. Ne jemi të përgatitur për çdo gjë. Jemi në tokën tonë. Nuk kemi ndërmend ta lëmë”, i tha Zërit të Amerikës ushtari ukrainas Alexey.
Megjithë shkëmbimin e përditshëm të zjarrit në këtë vijë të frontit, forcat ukrainase e konsiderojnë situatën nën kontroll.
“Situata është stabël. Është nën kontroll. Nëse armiku fillon një përshkallëzim të konfliktit, ne do të jemi gati për çdo ndryshim të skenarit”, thotë për Zërin e Amerikës ushtari ukrainas Alexander.
Ky pozicion luftarak gjendet në qytetin Avdiivka, ku pati luftime që gjatë ditëve të para të luftës tetë vite më parë. Tani popullsia jeton me frikën e një përshkallëzimi.
Dyqani që furnizon qytetin me paisje ushtarake u çel përpara fillimit të luftës. Pronarja Natalia rrëfen për Zërin e Amerikës se i frikësohet një konflikti të ri masiv.
“Njerëzit janë nervozë, të shqetësuar, në veçanti pasi gjendemi në këtë zonë. Nuk do të doja një luftë të re”, thotë ajo.
Për banorët e këtij qyteti, që ende mbart shenjat e luftës, qëndrimet dhe emocionet e javëve të fundit janë lëkundur ndërmjet frikës dhe pranimit.
“Jemi të shqetësuar. Prindërit e mi jetojnë këtu. Është e frikshme”, i tha Zërit të Amerikës, Irina, banore në Avdiivka.
“Nëse Putini do të donte të sulmonte, do ta kishte bërë tashmë”, thotë Svetlana, një banore tjetër e Avdiivkas.
Në frontin për momentin të qetë, burrat dhe gratë e ushtrisë ukrainase presin dhe vëzhgojnë. Nga ana tjetër, lufta mund të rikthehet në çdo moment. /VOA