Ballina Bota Scholz dhe Biden takohen në Uashington

Scholz dhe Biden takohen në Uashington

Olaf Scholz në prag të vizitës së tij të parë tek presidenti i SHBA-së është i rrethuar nga një vorbull paqartësish. Në Gjermani kritikët në mediat sociale kanë postuar vërejtje ironike lidhur me kancelarin Scholz, i cili me sa duket nuk e ka fort për zemër të shprehet qartë lidhur me krizën e Ukrainës. (“Dikush duhet t’i thotë Scholz-it, se ka harruar të ngrejë zërin”, komentonte një përdorues në platformëm Twitter). Aleatët e NATO-s dhe kundërshtarët politikë të Scholz-it brenda vendit janë të zhgënjyer me mosgatishmërinë e Gjermanisë për të furnizuar armë në Ukrainë.

Deklaratat e kolegut të partisë së tij socialdemokrate dhe paraardhësit të tij në postin e kancelarit, Gerhard Schröder, i cili nuk është stepur asnjëherë të mbrojë publikisht mikun e tij, Vladimir Putin, nuk i kanë ndihmuar aspak Scholz-it në këtë situatë: Schröder konsideroi duke e justifikuar përforcimin e trupave ruse si reagim ndaj manovrës së NATO-s dhe njëkohësisht e kritikoi Ukrainën për „vringëllimë shpatash”. Ndërkohë mediet gjermane kanë spekuluar për krisje në marrëdhëniet transatlantike: “Der Spiegel” shkruante në fund të janarit, se Scholz në kalendarin e tij të takimeve nuk ka gjetur kohë për një takim me Biden-in. Ky informacion u përgënjeshtrua shpejt dhe me këmbëngulje nga Shtëpia e Bardhë.

Angazhimi ende nuk është veprim

Kancelari vet të mërkurën në mbrëmje (2.02) në kanalin e dytë televiziv të Gjermanisë, ZDF, e hodhi poshtë me vendosmëri kritikën, se ai është pasiv dhe partnerët e NATO-s e konsiderojnë Gjermaninë si jo të besueshme. Ai tha, se jo vetëm po punon intensivisht me të gjithë partnerët e NATO-s, por edhe se po planifikon një takim personalisht me Putinin.

“Aleatët tanë e dinë fare mirë, se sa të vlefshëm jemi për ta”, tha ai. “Ne jemi ata, që japim kontributin më të madh ushtarak në kuadër të aleancës sonë të mbrojtjes, NATO”, tha Scholz. Këtë e di secili fare mirë. Për Europën kontinentale Gjermania është vendi, që ka shpenzime shumë të larta në këtë kontekst.” Kancelari tha gjithashtu, se asnjë vend tjetër europian nuk i ka ofruar më shumë ndihmë ekonomike sa Gjermania Ukrainës në vitet e fundit. Vizita e Scholz-it tek Putin është planifikuar për në mes të shkurtit.

Megjithatë disa vëzhgues besojnë, se Scholz duhet duhet ta sigurojë tani Biden-in se në cilën anë qëndron ai. “Scholz nuk mund të shkojë me duar bosh”, thotë Sudha David-Wilp, zëvendësdrejtore e zyrës në Berlin të German Marshall Fund (GMF). “Ai duhet ta ndryshojë status quon-ë. Në vend që të jetë i heshtur, sikurse është stili i tij, ai duhet të shkojë në Uashington me një mesazh të qartë, përse Gjermania qëndron në anën e partnerëve perëndimorë në këtë krizë të Ukrainës.”Scholz dhe ministrja e Jashtme në qeverinë e tij, Annalena Baerbock nga partia ekologjiste, kanë folur shumë për angazhimin e Gjermanisë në partneritetin transatlantik dhe „sistemin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”. “Por aktualisht mosveprimi i Gjermanisë duket sikur është e kundërta e politikës së bazuar tek vlerat, që ka theksuar qeveria e re”, thotë ekspertja për DW. “Angela Merkel ishte një komunikuese në kriza, ndërsa Scholz për fat të keq është shumë i tërhequr e kjo e bën të vështirë të interpretosh, se si pozicionohet qeveria e tij në këtë çështje.”

Socialdemokratët nga ana e tyre nuk shohin asnjë shkas, që të shqetësohen për raportet gjermano-amerikane. “Olaf Scholz është një transatlantik i bindur dhe këtë e dinë miqtë tanë amerikanë, kësisoj takohesh mes miqsh”, thotë Nils Schmid, zëdhënësi i partisë socialdemokrate për politikën e jashtme. “Atij nuk i duhet të rikuperojë gjë në këtë drejtim.”

Kriza e Ukrainës, sipas Schmid, do të shoqërohet nga një bashkëpunim më i ngushtë transatlantik, se sa kriza e fundit ndërkombëtare, tërheqja kaotike e NATO-s nga Afganistani verën e kaluar. I këtij mendimi është edhe Michael Werz nga “Center for American Progress” në Uashington: “Unë nuk besoj që Olaf Scholz-it i duhet të rifitojë ndonjë besim, sepse ai është një kalibër i njohur në SHBA nga koha si ministër i Financave”, i tha Werz DW-së.

Pavarësisht mendimeve të ndryshme që janë evidente përsa u përket furnizimeve me armë në Ukrainë, qeveria Scholz mund t’i ofrojë SHBA-së diçka që Merkel nuk mund ta ofronte: interesat e përbashkëta për temat e rëndësishme aktuale si Kina dhe ndryshimi i klimës.

“E gjithë qeveria e re gjermane, jo vetëm Olaf Scholz, ka ndaj Kinës një perspektivë me orietim më shumë politik [se sa ekonomik], kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut, normat ndërkombëtare dhe domosdoshmërinë e gjetjes së një ekuilibri të ri mes interesave ekonomike dhe standardeve politike”, thekson Werz. “Në radhë të parë me pjesëmarrjen e ekologjistëve në qeveri, mendoj, se është një hap i mirëpritur përpara.”

Të përbashkëtat për mbrojtjen e klimës

Edhe sa i përket temës së klimës shumë e konsiderojnë Biden-in politikisht më afër Scholz-it se sa me Merkel-in. Tek e fundit si Biden edhe Scholz fitoren e tyre në zgjedhje ua dedikojnë shumë votuesve të rinj, që e konsiderojnë ndryshimin e klimës si temën e jetës së tyre.

Përveç kësaj si Biden edhe Scholz, siç thekson Nils Schmid, e kanë formuluar mbrojtjen e klimës si një objektiv të politikës ekonomike duke theksuar potencialin për krijimin e vendeve të reja të punës në industri të qendrueshme. Kjo ka kuptim, sepse si Gjermania edhe SHBA janë vende, ekonomia e të cilave është e varur prej ruajtjes së industrive moderne dhe me aftësi konkurruese.

Të dy politikanët kanë mjaft tema për të biseduar. “Është çështja, që të përkufizohen mes BE-së dhe SHBA-së objektiva të përbashkëta për pakësimin e emisioneve në atmosferë, në mënyrë që të mund të jenë së bashku në një klub të klimës”, thotë Schmid. “Tema tjetër është, se ne kemi interes që në teknologjitë e reja – qoftë hidrogjeni, panelet diellore, apo teknologjitë e akumulimit të energjisë – jemi bashkarisht në rrugën e studimit shkencor dhe zhvillimit.”

Uashingtoni prej kohësh është kritik ndaj gazsjellësit Nord Stream 2, tashmë i gatshëm për t’u vënë në përdorim mes Rusisë dhe Gjermanisë. Ky projekt konsiderohet si një ndër më të preferuarit e socialdemokratëve, dhe kancelari Scholz së fundi ka konfirmuar, që në rast të një ndërhyrjeje ruse në Ukrainë gazsjellësi nuk do të vihet në përdorim.

Gjermania si një aktor kyç transatlantik?

Disa mendojnë, se Biden i ka shprehur një farë mirëkuptimi Scholz-it në krizën e Ukrainës. “Arsyeja pse presidenti Biden ka qenë mjaft i durueshëm me Gjermaninë, në kuptimin, që ai i ka kërkuar kongresit të presë për aplikimin e sanksioneve të mëtejshme, që mund të dëmtonin edhe Gjermaninë”, thotë David-Wilp GMF, “është, se ai e sheh Gjermaninë si një aktor kyç në marrëdhëniet transatlantike, jo vetëm kur është fjala për klimën, por edhe në komportimin ndaj Kinës.”

Përveç kësaj në Uashington në mënyrë diskrete ka më shumë simpati për pozicionin e Scholz-it, nga sa dukej në atmosferën e tensionuar të javëve të fundit, beson Werz. “Në diskutimin e zjarrtë aktualisht ju nuk do ta dëgjoni haptazi këtë si argument nga funksionarët e Uashingtonit”, thotë Werz, “por mendoj – vazhdon ajo – se ka një vlerësim të nënkuptuar që Scholz-it i duhet të komportohet me pakicën në partinë e tij, që është më afine ndaj Rusisë, edhe pse kjo nuk na pëlqen neve, por ai për shkak të kësaj tradite brenda SPD-së gëzon edhe një kredibilitet më të madh si partner bisedimesh ndaj Rusisë.”

Me fjalë të tjera: Ndoshta pak heshtje është e dobishme në këto rrethana.