Vitin e kaluar inflacioni arriti shkallën më të lartë në 40 vjet, duke goditur rëndë konsumatorët amerikanë, zhvlerësuar rritjet e rrogave dhe përforcuar vendimin e Bankës Qendrore për të filluar rritjen e normave të interesit të kredive në të gjithë sektorët e ekonomisë.
Departamenti i Punës tha të enjten se çmimet e konsumit u rritën me 7.5% muajin e kaluar, krahasuar me një vit më parë, rritja më e madhe nga një vit tek tjetri që nga shkurti i vitit 1982. Çmimet u rritën në të gjitha zërat e ekonomisë, që nga ushqimet, qiratë dhe energjia.
Në bazë të matjeve, inflacioni nga dhjetori në janar ishte 0.6%, i njëjtë me muajin pararendës dhe më i lartë se parashikimet e ekonomistëve. Çmimet u rritën 0.7% nga tetori në nëntor dhe 0.9% nga shtatori në tetor.
Mungesat e furnizimeve dhe punëtorëve, sasitë e mëdha të ndihmave federale, normat shumë të ulëta të interesit dhe shpenzimet e konsiderueshme nga konsumatorët, ndikuan në rritjen e inflacionit vitin e kaluar. Ka pak gjasa që gjërat të ndryshojnë së shpejti.
Pagat po rriten me ritmin më të shpejtë në të paktën 20 vjet, gjë që mund të ndikojë tek kompanitë që të rrisin çmimet për të mbuluar kostot më të larta të punës. Portet dhe magazinat janë të mbingarkuara. Vetëm muajin e kaluar, rreth 100 punonjës të sëmurë nuk shkuan në punë në portet e Los Anxhelosit dhe Long Beach. Dy nga portet më kryesore amerikane që ndodhen në Kaliforni.
Këto probleme kanë shkaktuar mungesa të shumë produkteve dhe pajisjeve. Nga dhjetori në janar u vu re një rritje e shpejtë e çmimeve për mallrat dhe shërbimet, por jo vetëm në sektorët e prekur direkt nga pandemia.
Qiratë e apartamenteve u rritën 0.5% në janar, ritmi më i shpejtë në 20 vjet. Çmimet e energjisë elektrike u rritën me 4.2% vetëm brenda janarit, rritja më e theksuar në 15 vjet. Çmimet e mobiljeve dhe pajisjeve të tjera shtepiake u rritën 1.6% në janar, rritja më e madhe njëmujore që nga fillimi i mbajtjes së të dhënave në vitin 1967.
Çmimi i ushqimeve u rrit 0.9% në janar dhe çmimi i biletave të avionëve u rrit 2.3%.
Çmimet e makinave të reja, të cilat janë rritur gjatë pandemisë për shkak të mungesës së çipave kompjuterikë, mbetën të pandryshuara muajin e kaluar, por krahasuar me një vit më parë çmimet janë rritur me 12.2%.
Rritja e çmimeve të makinave të reja, nga ana tjetër, ka përshpejtuar edhe rritjen e çmimeve të makinave të përdorura. Çmimi i makinave të përdorura u rrit 1.5% në janar dhe një rritje marramendëse prej 41% nga një vit më parë.
Rritja e vazhdueshme e çmimeve po e bën më të vështirë për shumë amerikanë që të përballojnë blerjet e ushqimeve, karburantit, kujdesin për fëmijët dhe shumë nevoja të tjera.
Inflacioni përbën rrezikun më të madh për ekonominë dhe një rrezik serioz për shanset e Presidentit Joe Biden dhe ligjvënësve demokratë në votimet e pjesshme për Kongresin amerikan në nëntor.
Ndër amerikanët që kanë vështirësi të përballojnë çmimet e larta të ushqimeve dhe karburantit është edhe Courtney Luckey. Ajo ka ndryshuar mënyrën e jetesës dhe po punon me orar të zgjatur në një dyqan ushqimor në Sharlot të Karolinës së Veriut.
33-vjeçarja Luckey, dikur shpenzonte 100 dollarë për të mbushur një karrocë me ushqime. Tani, tha ajo, 100 dollarë mezi mbushin gjysmën e karrocës. Rreth gjysëm kile domate kushtojnë afro 5 dollarë, çmenduri, thotë ajo. Tani ajo blen ushqime të konservuara dhe bën pazar kur ka zbritje çmimesh. Ajo thotë se ka hequr dorë nga aktivitet sportive me vajzën e saj për shkaqe financiare.
Në dhjetor, ekonomistët e Universitetit të Pensilvanisë vlerësuan se një familje mesatare duhej të shpenzonte 3,500 dollarë më shumë se në vitin 2020 për të blerë një ‘shportë’ identike mallrash dhe shërbimesh.
Raporti i së enjtes padyshim që do të shtojë trysninë ndaj Bankës Qendrore për të shtrenguar kredidhënien në përpjekje për të ngadalësuar ekonominë në atë shkallë sa të ulë inflacionin.
Rritja e pritshme e normave të interesit, me kalimin e kohës do të rrisë edhe koston e huamarrjes në shumë fusha, që nga marrja e kredive për blerjen e shtëpive, kartat e kreditit e deri tek kreditë për makinat dhe bizneset.
Rritja e normës së interesit mund të ulë shpenzimet dhe inflacionin, por nxjerr në pah rrezikun tjetër, që masat e Bankës Qendore mund të nxisin një recesion tjetër.
Javën e shkuar, norma mesatare e një kredie 30 vjeçare shkoi në 3.69%, duke shënuar nivelin më të lartë në dy vjet, sipas gjigandit të huave Freddie Mac. Por rritja e normave të interesit do ta nxjerrë jashtë lojës disa amerikanë që duan të blejnë shtëpi. /VOA