Ballina Bota Analiza 30 vjet pas Traktatit të Mastrihtit, Evropa mbetet një projekt ende i...

30 vjet pas Traktatit të Mastrihtit, Evropa mbetet një projekt ende i papërfunduar

Nga Stefan Lehne“Carnegie Europe”

Përktheu: Alket Goce

Traktati i Mastrihtit i nënshkruar 30 vjet më parë, më 7 shkurt 1992, ishte basti i fundit i madh i integrimit evropian. Në atë kohë presidenti francez François Mitterrand arriti të bindë kancelarin gjerman Helmut Kohl, të sakrifikonte një pjesë të fuqisë gjermane në “altarin” e unitetit evropian, në mënyrë që ta bënte më të këndshëm për fqinjët e saj ribashkimin e Gjermanisë.

Në dallim nga pritshmëria e shumë ekspertëve, euro u bë një histori suksesi. Por asnjë nga të dy udhëheqësit, nuk arriti të parashikonte se bashkimi monetar do ta rriste dhe jo zvogëlonte ndikimin e Gjermanisë, apo se projekti do të kërkonte riparime të shumta gjatë krizës financiare që do të shpërthente disa vite më vonë.

Tre dekada më vonë, ka mbaruar epoka e inovacioneve radikale nëpërmjet ndryshimit të traktateve. Në një Bashkim Evropian të zgjeruar dhe më heterogjen, qeveritë e vendeve anëtare e kanë shumë të vështirë që të gjejnë gjuhën e përbashkët.

Ndërkohë, meqë partitë populiste gëzojnë tani një mbështetje të konsiderueshme, ndryshimi thelbësor i traktateve mund të shkaktojë mbajtjen e shumë referendumeve, të cilat mund të prodhonin rezultate të paparashikueshme. Qeveritë e urrejnë të luajnë lojën e “ruletës ruse”.

Gjithsesi mbetet ende nevoja për të zhvilluar politikat e BE-së, ndaj vëmendja është zhvendosur tek legjislacioni dytësor, tek instrumentet e buta dhe mjetet e financimit. Sot, axhenda e reformave të BE-së, i ngjan një sërë kantieresh ndërtimi të lidhura lirshëm midis tyre, përfshirë bashkimin monetar, qeverisjen ekonomike, klimën, inovacionin dixhital, migrimin dhe mbrojtjen.

Përveç të qenit një eksperiment mbi demokracinë, Konferenca për të Ardhmen e Evropës, synonte të shënonte një rikthim tek një qasje gjithëpërfshirëse ndaj reformave të BE-së. Panelet me qytetarët, sollën ide të shumta, por shumë prej tyre nuk do t’i mbijetojnë dot shqyrtimit nga qeveritë.

Raporti përfundimtar që pritet të bëhet publik në muajin maj 2022, mund t’i japë një shtysë reformave, por ai nuk do ta ndryshojë dot dinamikën e përshkruar më sipër. Progresi ka të ngjarë të mbetet i shpërndarë dhe i pjesshëm.

Gjithsesi konfiguracioni i forcave politike duket më i favorshëm këtë vit për reformat e BE-së sesa vitet e fundit. Nëse Emmanuel Macron rizgjidhet si president i Francës, 4 vendet më të mëdha të unionit do të kenë që të gjitha udhëheqës pro-evropianë.

I ashtuquajturi “grupi i kursimtarëve” (Austria, Danimarka, Holanda dhe Suedia), që më herët këmbëngulnin për politikat fiskale kufizuese, mund të ketë tani një qasje më të moderuar, pasi Holanda dhe Austria i kanë zbutur qëndrimet e tyre.

Koha midis zgjedhjeve parlamentare franceze në qershor 2022, dhe zgjedhjeve parlamentare në Itali vitin e ardhshëm, mund të shndërrohet në një dritare mundësish, gjatë së cilës mund të çohen përpara një sërë reformash të rëndësishme.

Në krye të axhendës do të mbetet tranzicioni ekonomik, si një reagim ndaj ndryshimeve të klimës. Pas vendosjes së objektivave ambicioze, dhe promovimit të një narrative politike bindëse në formën e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, theksi është zhvendosur tani tek zbatimi i saj.

Projektet legjislative kryesore në lidhje me reduktimin më të shpejtë të emetimeve të gazrave serrë në atmosferë do të negociohen pikërisht gjatë këtij viti. Dhe duke u përqndruar tek zbatimi i tyre, do të vijnë sfida politike shumë më të mëdha.

Rritja aktuale e çmimit të gazit, tregon që tani sfidat e forta që ka përpara Evropa, në një kohë që po rritet vazhdimisht emergjenca për të pasur progres. Ndërkohë, një vëmendje e madhe do të ketë edhe qeverisja ekonomike, pasi rregullat fiskale të pezulluara gjatë krizës së Covid-19 do të ri-hyjnë në fuqi pas këtij viti.

Duket të pamundura ndryshimet e mëdha në parametrat e paktit fiskal. Por një fleksibilitet më i madh në zbatimin e tyre, mund të lehtësojë investimet e reja në kuadër të mbrojtjes së klimës, në fushën dixhitale dhe në qëndrueshmërinë e ekonomive të bllokut.

Sa i përket reformimit të sistemit Shengen, vendet anëtare të BE-së do të zëvendësojnë Komisionin Evropian në pozitën drejtuese, dhe do të kërkojnë me siguri kontrolle më të ashpra mbi kufijtë e jashtëm. Kërkesa e qeverive të Evropës Jugore, që barra e pritjes së azilkërkuesve të ndahet midis vendeve anëtare, mbetet pengesa më e madhe në reformimin e sistemit të azilit të BE-së.

Kur flitet për sigurinë dhe mbrojtjen, BE-ja do të miratojë në muajin mars “Busullën Strategjike”, një mekanizëm që synon t’i japë një shtysë zhvillimit të këtyre politikave.

E megjithatë, Bashkimit Evropian është ende larg të qenit një lojtar gjeopolitik i besueshëm.

Përpjekjet e udhëhequra nga Komisioni Evropian për të rritur qëndrueshmërinë duke reduktuar varësitë asimetrike, duke diversifikuar zinxhirët e furnizimit, dhe duke mbrojtur BE-në nga shantazhet e jashtme, fitojnë në këtë kontekst një urgjencë edhe më të madhe.

Ndërsa rreshtimi i forcave politike duket më i favorshëm se vitet e fundit, është e pamundur të mos shohësh “retë e errëta” që po shfaqen mbi Evropë.

Pas dy vitesh, pandemia po e dominon ende politikën evropiane, duke konsumuar një pjesë të mirë të energjisë së liderëve politikë, dhe duke e shpërqendruar vëmendjen e tyre nga shqetësimet e tjera prioritare. Shpresohet shumë që virusi të bëhet më në fund endemik, por pasiguritë janë ende aty.

Ndërsa rreziqet ekonomike janë zbehur, dëmi social do të peshojë për një kohë të gjatë mbi BE-në. Sjellja agresive e Rusisë, e ka sjellë Evropën në pragun e luftës. Në vend se “të mësojë gjuhën e fuqive”, siç deklaroi me krenari Josep Borrell në fillimin e mandatit të tij, BE-ja po i kthehet varësisë së saj të vjetër ndaj lidershipit të SHBA-së.

Për momentin, Uashingtoni mund të ndihmojë vërtet në menaxhimin e krizës. Megjithatë, kjo varësi mund të bëhet problematike, duke pasur parasysh edhe perspektivat e pasigurta mbi politikat konstruktive të SHBA-së pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.

Së fundi, problemet me sundimin e ligjit në Hungari dhe Poloni, po vënë në pikëpyetje vetë themelet e BE-së si një komunitet ligjor. Në rast se as zgjedhjet dhe as vendosja e instrumenteve ligjore dhe politike nga institucionet e BE-së, nuk do ta ndreqin dot situatën, tensionet do të rriten më tej, dhe do ta dëmtojnë bashkëpunimin evropian në fusha të ndryshme.

Për momentin, është e paqartë nëse gatishmëria aktuale konstruktive e shumicës së qeverive, do të lejojë arritjen e një përparimi të vërtetë gjatë muajve të ardhshëm, apo nëse BE-ja do të zhytet sërish në një krize të plotë, si pasojë e sfidave të jashtme apo të brendshme. Sido që të shkojnë gjërat, 2022-shi premton të jetë një vit shumë interesant. /abcnews.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews