Një ditë më parë, ministria ruse raportoi fillimin e një tërheqjeje të trupave pas stërvitjeve ushtarake pranë Ukrainës.
Por Perëndimi megjithatë e sheh me skepticizëm këtë lëvizje të Moskës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha para gazetarëve se organizata ushtarake nuk sheh asnjë shenjë se Moska po ul nivelin e trupave të saj në Ukrainë dhe rreth saj.
“Mbetet për t’u parë nëse ka një tërheqje. Sigurisht që ne po monitorojmë nga afër se çfarë bën Rusia në dhe rreth Ukrainës. Ajo që ne shohim është se ata kanë rritur numrin e trupave ushtarake.
Deri më tani nuk ka depërshkallëzim, por sigurisht ne po regjistrojmë reagimet e Moskës për dialogun diplomatik dhe jemi të gatshëm të përfshihemi në këto përpjeke me Rusinë”.
Në lidhje me tërheqjen e disa trupave ruse nga kufiri me Ukrainën, reagoi edhe ministri Britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace.
“Në terren, shohim të kundërtën e disa prej retorikave të fundit që vijnë nga Kremlini dhe mendoj se do të ishte gjëja e drejtë të thuhet se nuk është një ushtrim normal ushtarak”.
Ndërkohë në Ukrainë, qytetarët ngritën një flamur të madh në stadium ku në sfond luhej himni kombëtar për të treguar unitet kundër frikës së një pushtimi.
Banderolat verdheblu valëviteshin jashtë shkollave, spitaleve dhe shumë dyqaneve për të shënuar “Ditën e Unitetit”, një festë që Presidenti Volodymyr Zelensky krijoi këtë javë pasi Rusia grumbulloi trupa pranë kufijve të Ukrainës.