Ballina Bota Detaje të reja për negociatat mes delegacionit rus dhe ukrainas, këshilltari kryesor...

Detaje të reja për negociatat mes delegacionit rus dhe ukrainas, këshilltari kryesor i Zelensky-t: Rusia ka filluar të flasë në mënyrë konstruktive

Dalin detaje të reja për negociatat mes delegacionit rus dhe ukrainas.

Në një video të postuar në mediat sociale, këshilltari i Zelensky-t, Mikhail Podoliak tha se Rusia kishte filluar të vepronte në mënyrë konstruktive. “Rusia tani e percepton botën në mënyrë shumë më adekuate. Ajo është shumë më e ndjeshme ndaj pozicionit të Ukrainës në fushën e betejës dhe ndaj veprimeve të Ukrainës për të mbrojtur interesat e saj.

Propozimet tona janë në tryezë dhe janë shumë të vështira. Para së gjithash, ka të bëjë me tërheqjen e trupave, armëpushimin e kështu me radhë. Në parim, ne nuk do të heqim dorë nga asnjë nga pozicionet tona. Rusia tashmë e kupton këtë. Rusia ka filluar të flasë në mënyrë konstruktive”, shkruan BBC në ukrainisht, transmeton Tetova News.

Megjithatë, raporte kontradiktore për bisedimet mes palëve pati këtë mbrëmje.

Fillimisht, një tjetër këshilltar i presidentit Zelensky, Oleksiy Arestovych, tha se bisedimet vazhduan të dielën. Më pas, zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov tha se nuk ka pasur bisedime të dielën, por ato do të vazhdojnë përmes video-lidhjes të hënën.

Në Twitter, Mykhailo Podoliak sqaroi se për çfarë po fliste:

Përsëri. Negociatat po vazhdojnë pa ndërprerje në formatin e videokonferencave. Grupet e punës po punojnë vazhdimisht. Një numër i madh çështjesh kërkojnë vëmendje të vazhdueshme. Të hënën më 14 mars do të mbahet seanca paraprake për të përmbledhur rezultatet paraprake.

Edhe diplomatja e lartë amerikane Wendy Sherman ka thënë se Rusia po tregon shenja të pjesëmarrjes në bisedime thelbësore, thotë korrespondenti diplomatik i BBC, James Landale. Por asnjëra palë nuk tha nëse ishte bërë përparim në çështjet humanitare apo edhe për mundësinë e një armëpushimi, shtoi korrespondenti ynë.

Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian shprehu pesimizëm, duke thënë për radion franceze se lufta do të jetë e gjatë dhe “më e keqja nuk ka ardhur ende”./Tetova News

Video bonus:

https://youtu.be/FuASiIGqdh8