Edhe pse centrali bërthamor i Zaporizhzhias dukej mjaft i sigurt ditën e premte, forcat ushtarake ruse arritën ta marrin atë nën kontroll duke shtuar rrezikun e një aksidenti të mundshëm që do të kishte pasoja fatale për Europën.
Rusia ka tashmë nën kontroll centralin nuklear më të madh në Europë – duke vënë në pikëpyetje interesimin e qeverisë ruse për këto centrale si edhe sigurinë e qytetarëve që jetojnë atje.
Ushtria ruse po tregon një interes të veçantë për reaktorët dhe centralet nukleare në Ukrainë dhe më poshtë do të eksplorojmë arsyet pse.
Forcat ushtarake ruse kanë marrë nën kontroll 2 prej centraleve bërthamore ukrainase deri tani dhe po avancojnë drejt të tretit.
Volodymyr Zelenskyy tha se centrali i tretë nën rrezik tashmë është ai i Yuzhnoukrainsk, i cili ndodhet 120 km në veri të Mykolaiv – një prej qyteteve të shumta të cilin rusët po e mbajnë të rrethuar.
Një nga centralet bërthamore nën kontrollin rus aktualisht është ai i Zaporizhzhia, në qytetin jug-lindor të Enerhodar – ky është centrali bërthamor më i madh në të gjithë Europën.
Ndërsa tjetri është centrali i Çermobilit – i cili nuk është aktiv por gjithsesi magazinon pajisje dhe sisteme të shumta radioaktive.
Sa të rrezikshme janë këto sulme mbi reaktorët bërthamorë për Europën?
Sulmet ruse javën e shkuar u bënë shkak për një zjarr në centralin e Zaporizhzhia, i cili u fik duke parandaluar kështu një përhapje të gazrave të dëmshëm radioaktivë.
Ditën e premte, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i bëri thirrje shteteve perëndimore dhe Europës që t’u kërkojnë liderëve të tyre të ndryshojnë trajektoren pasi bombardimet e vazhdueshme mbi centralin bërthamor në Ukrainë, kërcënojnë të ardhmen e të gjithë kontinentit.
“Qiejt e Ukrainës duhen mbyllur menjëherë,” – tha Zelenskyy, “Dilni në rrugë dhe bërtisni që doni të jetoni – të jetoni në një planet pa kontaminim radioaktiv. Radioaktiviteti nuk i njeh kufijtë e Rusisë.”
Ukraina ka 4 centrale bërthamore të cilët përmbajnë një total prej 15 reaktorësh.
Rusët tashmë i kanë vënë sytë centralit të tretë në perëndim të Ukrainës.
Që prej fillimit të konfliktit në Ukrainë, ekspertët i druheshin mundësisë së një ‘katastrofe mjedisore’ si pasojë e luftimeve në afërsi të këtyre reaktorëve që mund të shkaktojnë një incident të mundshëm – i cili do mund të bëhej shkak për dërgimin e reve masive të helmeve radioaktive – që mund të përhapen me anë të erërave, në të gjithë Europën.
“Ajo të cilës unë i druhem është mundësi se një ushtar injorant i cili trembet për një çast dhe lëshon papritur një raketë apo murtajë e cila mund të shkaktojë një katastrofë të vërtetë,” – tha fizikanti David Albright për prestigjiozen New York Times.
Një aksident i këtyre përmasave do të kthehej në një rrezik të mundshëm jo vetëm për europianët dhe ukrainasit por edhe vetë Rusinë fqinje.
Pse është Rusia kaq e interesuar për centralet bërthamorë ukrainas?
Disa pamje të publikuara në nisje të pushtimit rus të Ukrainës, tregonin se ushtria ruse po pajisej me maska gazi dhe veshje mbrojtëse ndaj tymrave kimikë – gjë që tregon shumë rreth synimeve të tyre qofshin ato thjesht parapërgatitore apo të qëllimshme.
Ekspertët perëndimorë kanë paralajmëruar gjithashtu se një arsye e mundshme pse Rusët po shënjestrojnë centralet bërthamorë në Ukrainë – sidomos atë të Zaporizhzhias – mund të jetë pikërisht përpjekja e tyre për të sulmuar dhe degraduar rrjetin elektrik ukrainas që është tejet i varur nga këta centrale bërthamore për prodhimin e elektricitetit.
Ky s’do ishte asgjë tjetër veçse një tjetër sulmi hibrid nga Ushtria e Kuqe.
Në të njëjtën kohë, Moska mund ta përdorë këtë central si kapital për të kërcënuar qeverinë ukrainase me shkëputje të elektricitetit në të gjithë vendin gjë që do të kishte pasoja marramendëse.
“Rusët e kuptojnë mjaft mirë se energjia është një mjet pushteti i jashtëzakonshëm,” – tha R.Scott Kemp, profesor i shkencave nukleare në MIT.
“Ndryshimet e qëllimshme në kompleksin Zaporzhzhia, mundet teknikisht ta çojnë të gjithë vendin drejt një realiteti të ri pa ujë të pijshëm, pa gaz për ngrohje, pa frigoriferë për ruajtjen e ushqimit dhe mbi të gjitha, pa elektricitet – gjë që do të ndërpriste edhe komunikimin mes ushtrisë dhe qeverisë. Është një pikë tejet e dobët dhe e cenueshme për Ukrainën.” – tha ai.
Një tjetër arsye pse Rusisë mund t’i nevojiten këto centrale në Ukrainë, është mundësia e prodhimit të armëve bërthamore.
Edhe pse Kievi është treguar mjaft paqësor për sa i përket programeve bërthamore, Rusia mund të gjej mundësinë – me anë të këtyre centraleve – për të grumbulluar materialet e nevojshme në prodhimin e mëtejshëm të armëve bërthamore.
Plutonium është një nga dy karburantet kryesore të përdorur në bërthamën e bombave bërthamore dhe sipas fizikanit dhe profesorit Albright, plutoniumi i gjendur në centralin e Zaporizhzhias mund të prodhojë deri në 3,000 koka bërthamore.