Ballina Bota Negociatat e paqes, Ukraina: Rusisë i bëjmë lëshime për neutralitetin, jo për...

Negociatat e paqes, Ukraina: Rusisë i bëjmë lëshime për neutralitetin, jo për territorin

Përpara se të ulet për herë të tretë në tryezën e paqes, Ukraina zbulon vijat e kuqe. Anëtari i delegacionit të Kievit në bisedimet me Rusinë, David Arakhamia, tha se në mënyrë kategorike nuk do të negociojë për kërkesa që cenojnë integritetin territorial të vendit.

“Të vetmet pjesë për të cilat është thuajse e pamundur të bihet dakord janë për njohjen e aneksimit të Krimesë dhe pavarësinë e Republikave Popullore të Luhansk dhe Donetsk”, tha ai në një intervistë për Fox News. “Kjo është e papranueshme për shoqërinë ukrainase”, shton Arakhamia.

Anëtari i delegacionit të Kievit sinjalizoi se mund të bëhen lëshime për kërkesat e tjera të Rusisë, përfshirë atë të statusit neutral. “Ne jemi të gatshëm të diskutojmë çdo opsion tjetër dinamik, por jo njohjen e këtyre territoreve”, nënvizoi ai.

Ndërkohë, ekipet negociuese të Moskës dhe Kievit kanë zhvilluar dy takime për paqe dhe kanë arritur vetëm një ujdi për krijimin e korridoreve humanitare për largimin e civilëve nga zonat e luftës. Por nuk është përmbushur asnjëherë për shkak të bombardimeve dhe betejave me armë zjarri. Në tryezën për paqe palët kanë këto kërkesa: Ukraina dëshiron ndalim të luftimeve dhe tërheqje të trupave ruse nga territori i saj, ndërsa Rusia kërkon denazifikim, çarmatosje, status neutral dhe pranim të aneksimit të Krimesë si dhe pavarësinë e Republikave Popullore të Luhansk dhe Donetsk.

@tn.lajmelokale
@tetovanews