Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace përjashton mundësinë e zbatimit të një zone ndalim-fluturimi për Rusinë nga NATO.
Kjo pasi sipas tij, çdo përplasje që vjen nga një shkelje e zonës nga Rusia ‘mund të çojë në një luftë në të gjithë Evropën’.
Në një intervistë për BBC, Wallace tha se Rusia po përballet me një sfidë të madhe’ për të hyrë në qytetet kryesore të Ukrainës, pasi forcat e armatosura dhe civilët janë duke zmbrapsur forcat armike që afrohen me çdo mjet në dispozicion.
Sipas tij sipërfaqja gjeografike e Ukrainës dhe popullsia e saj e madhe prej 44 milionë banorësh, do ta bënte pushtimin nga Rusia ‘shumë të vështirë’.
Çfarë janë zonat e ndalim-fluturimit
Zona e ndalim-fluturimit i referohet çdo rajoni të hapësirës ajrore ku është vendosur se disa avionë nuk mund të fluturojnë.
Ky sanksion mund të përdoret për të mbrojtur zona të ndjeshme, të tilla si rezidencat mbretërore ose mund të aplikohet përkohësisht gjatë ngjarjeve sportive dhe tubimeve të mëdha.
Në kontekstin ushtarak, një zonë ndalim-fluturimi është projektuar për të ndaluar aeroplanët të hyjnë në një hapësirë ajrore të ndaluar, zakonisht për të parandaluar sulmet ose mbikëqyrjen.
Një zonë ndalim-fluturimi për Rusinë mbi Ukrainë do të nënkuptonte që forcat ushtarake, veçanërisht forcat e NATO-s, do të angazhoheshin drejtpërdrejt me çdo avion rus të pikasur mbi qiellin ukrainas dhe do të qëllonin mbi ta nëse është e nevojshme.