The Economist
Zyrtarët amerikanë vizituan Ukrainën ndërsa po festonte Pashkët, por ata sigurisht nuk sollën paqen. Megjithatë, vizita e fshehtë në Kiev nga Antony Blinken dhe Lloyd Austin, sekretarët e shtetit dhe të mbrojtjes së Amerikës, solli shpresën për t’i dhënë fund luftës.
“Ne nuk e dimë se si do të zhvillohet pjesa tjetër e kësaj lufte, por ne e dimë se një Ukrainë sovrane dhe e pavarur do të jetë jetojë më gjatë sesa Vladimir Putin do të jetë në pushtet” tha Blinken.
Amerikanët nuk ishin të parët që vizituan Kievin; udhëheqës të tjerë kanë takuar tashmë Volodymyr Zelensky, presidentin e Ukrainës. Por amerikanët nuk shkuan për një shëtitje të improvizuar në qytet, siç bëri Boris Johnson, kryeministri i Britanisë, më 9 prill.
Sigurisht disa nga ofertat e tyre të dukshme ishin të kufizuara, mes tyre rihapja e vonuar e ambasadës amerikane në Kiev dhe emërimi i një ambasadori në vend, i cili, më shumë se një vit pas administrimit të Joe Biden, erdhi jashtëzakonisht vonë.
Megjithatë, udhëtimi i zyrtarëve amerikanë në Ukrainë mund të jetë më i rëndësishmi deri më tani. Amerika ka ofruar më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën sesa të gjitha vendet e tjera së bashku, raporton abcnews.al.
Blinken dhe Austin njoftuan një financim shtesë prej 713 milionë dollarësh për furnizimin me armë.
Ndoshta më e habitshme është ndryshimi i qëndrimit të Amerikës.
Duke gjykuar nga komentet e sekretarëve, Amerika po mbështet idenë se Ukraina jo vetëm që mund të mbijetojë, por edhe të fitojë kundër Rusisë.
“Ata po luftojnë për të fituar dhe ne do t’i ndihmojmë ata të fitojnë, “tha Austin.
Për këtë qëllim, më 26 prill, Amerika zhvilloi një takim në Gjermani me dhjetëra vende– aleatët e NATO-s, por edhe partnerët në Azi, Lindjen e Mesme dhe Afrikë për të disktuar ndihmën ushtarake në Ukrainë.
40 shtetet në listën e të ftuarve përfshinin vendet nga Maroku në Zelandën e Re dhe gjithashtu vende të tilla si Izraeli që deri më tani kanë hezituar të kritikojnë Rusinë. Ata diskutuan, ndër të tjera, trajnimin e ushtarëve dhe mënyrën se si mund të furnizojnë me armë të standartit të NATO-s sa më shpejt të jetë e mundur Ukrainën.
Po ashtu, administrata e Bidenit duket se ka një ide më të qartë se si do të përfundojë lufta në Ukrainë.
Në fillim, ndërsa Rusia po grumbullonte trupat në kufi me Ukrainën, numri i armëve që Perëndimi dërgoi në vend ishte i kufizuar. Por ndërsa Ukraina demonstroi një aftësi të jashtëzakonshme për të luftuar, kjo ndryshoi.
Kritikët akuzuan presidentin si “të dobët”, por Biden tha se ai nuk do përfshihej pasi diçka e tillë rrezikonte nisjen e luftës së tretë botërore.
Zyrtarët ukrainas dyshuan se Amerika thjesht po përpiqej të dëmtonte Rusinë, me çmimin e shkatërrimit të Ukrainës.
Tani administrata duket më pak e shqetësuar për rreziqet dhe madje mund të jetë duke përmbushur ambiciet e saj.
“Ne duam ta shohim Rusinë të dobësuar deri në atë shkallë sa nuk mund të jetë në gjendje të shkaktojë mizori në Ukrainë”, tha Austin.
Amerika dhe aleatët perëndimorë janë zotuar të dërgojnë armë të rënda në Ukrainë– jo vetëm armë antitank, por edhe tanke dhe jo vetëm raketa kundërajrore, por edhe pjesë për avionë luftarakë (dhe ndoshta së shpejti edhe avionë).
Rusia është kundërpërgjigjur, në mënyrë të parashikueshme, duke kërcënuar se do të përdorë armë bërthamore.
Megjithatë, përpara se të mendojë për fitoren, Ukraina duhet t’i mbijetojë sulmit të ardhshëm.
Pasi hoqi dorë nga marrja në kontroll e Kievit, të paktën tani për tani, Rusia ka grumbulluar trupat e saj në lindje dhe jug me shpresën për të marrë në kontroll më shumë zona, ndoshta mjaftueshëm për të shpallur një fitore të madhe deri më 9 maj.
Më 24 prill, forcat ruse në rajonin lindor të Donbasit nuk shënuan përparime të rëndësishme dhe arritën të merrnin në kontroll vetëm qytete të vogla rreth Sievierodonetsk. Një gjeneral rus, Rustam Minnekayev, zëvendës komandant i qarkut ushtarak qendror të Rusisë, tha se objektivi i vendit është të marrë kontrollin e plotë të gjithë Ukrainës jugore, raporton abcnews.al.
Kjo do të krijonte jo vetëm një korridor tokësor lindor midis Krimesë dhe Donbasit (rajone që pushtoi në 2014), por edhe një korridor perëndimor për t’u lidhur me enklavën e Transnistria, një rajon separatist i Moldavisë.
Kjo do të nënkuptonte marrjen e Mariupolit, si dhe Mykolaivit dhe Odesës.
Si do të përfundojë lufta?
Askush nuk e di. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, vizitoi Moskën më 26 prill. Ndërsa sot ka mbërritur në Ukrainë për të parë nga afër mizoritë e forcave ruse. Disa europianë parashikojnë një ngërç në negociatat e paqes, përpara se të fillojë dimri i ardhshëm.
Shumë ekspertë e cilësojnë luftën në Ukrainë të ngjashme me vitet 1939-40, kur Finlanda luftoi heroikisht kundër Bashkimit Sovjetik për muaj të tërë por në fund u detyrua të “dorëzohej” dhe dekada pas Luftës së Dytë Botërore, iu desh të ruante neutralitetin.
“Mendova se lufta e dimrit ishte më e mira që mund të arrinte Ukraina. Tani mendoj se është më e mira që Rusia mund të arrijë”, tha Dan Fried pjesë e Këshillit Atlantik, një institut në Uashington.
Por ekziston edhe një skenar tjetër: disfata e Rusisë Perandorake nga japonezët në 1905- një armëpushim i përkohshëm.
/abcnews.al