Nga Gabriel Gavin “Reaction”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Mbrëmja e 23 shkurtit ishte e ngrohtë në qytetin rus Rostov-on-Don. Pas muajsh të një dimri të zymtë dhe të acartë, akulli i lumit kishte shkrirë dhe pellgjet me baltë shiheshin shpesh në rrugët ku ishin grumbulluar grumbuj dëbore. Megjithatë, vetëm 80 km larg, përtej kufirit me rajonin ukrainas të Donbasit, Kremlini ishte vetëm disa orë larg nga ndezja e një konflikti të “ngrirë”.
Dhe sot më shumë se 7 muaj më pas, edhe kur dhjetëra mijëra ushtarë dhe civilë kanë vdekur si rezultat i ambicieve territoriale të presidentit Vladimir Putin, me sa duket lufta është shumë larg fundit të saj. Por teksa i ngrohti i verës tejet të nxehtë është larguar, shumica e Evropës mund të përballet për herë të parë me pasojat e plota të pushtimit.
Ndërsa Perëndimi po përpiqet të heqë dorë nga importet e karburanteve fosile ruse pas dekadash mbështetjeje tek to, duke reduktuar fondet për luftën brutale të Kremlinit, kriza e përkeqësuar e energjisë po shpaloset në formën e saj të plotë pikërisht në momentin që njerëzit e zakonshëm nisin të ndezin kaloriferët për t’u ngrohur.
Ndërkohë, rritja e kostos së karburantit po nxit një kaos ekonomik në mbarë kontinentin, dhe kërcënon të zhysë më shumë se një duzinë vendesh të zhvilluara në një rënie ekonomike që do të zgjasë. Tani investitorët dhe analistët po paralajmërojnë se Evropa do të bjerë në një recesion duke nisur nga 3-mujori i fundit i këtij viti, me perspektiva shumë të zbeta për një rimëkëmbje të shpejtë.
Ndërkohë krye-diplomati i BE-së, Josep Borrell, ka paralajmëruar se anëtarët e bllokut po përpiqen të përballen me rënien e vlerës së monedhës të tyre të përbashkët, euros, përkundrejt dollarit amerikan. “Të gjithë po nxitojnë të rritin normat e interesit. Dhe kjo lëvizje do të shkaktojë një recesion ekonomik global”- deklaroi ai në fillim të këtij muaji.
Edhe shenjat e tjera duken të zymta. Po raportohet se shumë kompani evropiane po planifikojnë të rrisin pagat e punëtorëve, për t’i ndihmuar ata të përballojnë koston në rritje
të ushqimit dhe karburantit gjatë dimrit. Madje shumë prej tyre kanë njoftuar pagesa të njëhershme për t’u siguruar që stafi i tyre të mos ketë të ftohtë apo uri.
Edhe kompanitë e shitjeve në Britaninë e Madhe kanë njoftuar rritjen e pagave për punonjësit e tyre. Presionet inflacioniste që burojnë nga kriza, si dhe marzhet më të vogla të fitimit, thonë analistët për agjencisë “Reuters”, mund ta zhysin në kaos të gjithë sektorin privat në Evropë.
Edhe Gjermania, ekonomia më e madhe e kontinentit, parashikohet të shkojë drejt një recesioni. Ndërsa ekonomistët thonë se gjatë vitit të ardhshëm 2 tremujorët e parë mund
të shoqërohen me një rënie të ekonomive. Pasi lulëzoi për dekada falë naftës dhe gazit të lirë rus, ekonomia gjermane është goditur më së shumti nga mbyllja e papritur e aktivitetit në shumë industri, me industrinë e saj të rëndë që mban peshën kryesore.
Më shumë po pësojnë goditje sektorët kryesorë të prodhimit. Për shembull, gjiganti i produkteve kimike BASF në Gjermaninë Jugore, pagoi një kosto energjitikë prej 687 milionë paund më shumë në vetëm 4 muajt e parë që nga fillimi i luftës.
Tani që tubacioni nënujor i gazsjellësit “Nord Stream” ka dalë jashtë funksionit për shkak të një serie shpërthimesh pak javë më parë, kostoja e blerjes nga burime alternative është në rritje. Në një përpjekje për të shpëtuar bizneset nga falimentimi, Berlini ka miratuar një fond ndihme prej 200 miliardë eurosh, vetëm për përballimin e faturave të shtuara të energjisë.
Por vendet e tjera evropiane paralajmërojnë se injektimi i një fondi të tillë gjigant do të rrisë çmimet, dhe do t’i zhysë shtetet e tjera në një krizë edhe më të rëndë. Por këto kundërshtime kanë rënë në vesh të shurdhër, teksa vendi po përpiqet të shmangë ndërprerjet dhe mungesat e energjisë gjatë dimrit.
“Nëse Gjermania do të përjetonte një recesion vërtet të thellë ekonomik, do të tërhiqte me vete të gjithë Evropën. Ne nuk po tregohemi egoistë. Thjesht po përpiqemi të stabilizojmë një ekonomi në zemër të Evropës”- tha zëvendës/kancelari gjerman Robert Habeck javën e kaluar në përgjigje të kritikave ndaj masave të Berlinit.
Por edhe kjo paketë e konsiderueshme ndihme mund të mos jetë e mjaftueshme, dhe kërkesa për dru zjarri po rritet ndjeshëm, pasi konsumatorët gjermanë kanë frikë nga faturat e larta të energjisë. Ndërsa Britania e Madhe nuk ka qenë kurrë aq e varur nga nafta dhe gazi rus, dhe ka zinxhirë furnizimi relativisht të sigurt, presioni mbi ofruesit alternativë të energjisë po i shton kostot.
Kryeministrja e re britanike, Liz Truss, e ka ndryshuar shpesh politikën e saj energjitike. Në fillim propozoi ngrirjen për 2 vite të pagesës për faturat me mbi 2500 paund në vit. Më pas e anuloi këtë vendim duke e zëvendësuar me angazhimin për t’i ruajtur ato nivele deri në prillin e vitit të ardhshëm, për shkak të shqetësimeve mbi koston e përgjithshme të planit anti-krizë.
Ndërkohë në Rusi, temperaturat po bien ndjeshëm, dhe vendasit thonë se i pret një dimër i ftohtë dhe i lagësht. Ndërsa ata mund të kenë shumë energji për të konsumuar, të ardhurat që përdorte dikur Moska për të pasuruar elitën dhe për të financuar forcat e saj të armatosura nuk janë më aty.
Ndërkaq, ata që patën fatin e keq për t’u dërguar në frontin e luftës në Ukrainës, do të përballen me muaj të tërë të acartë, pasi armiqtë e tyre më të motivuar, më të armatosur dhe të stërvitur më mirë, do t’i sprapsnin sërish drejt kufirit.
Pushtimi ka arritur deri më sot shumë pak nga ajo që mund të kishte shpresuar Putin. Madje ai e ka shkatërruar reputacionin e Moskës si një fuqi e madhe, në vend se ta çimentonte atë, dhe duke e vendosur veten në një pozitë gjithnjë e më të cënueshme brenda Rusisë. Por, duke mos treguar asnjë shenjë dorëheqjeje, presidenti rus gjithnjë e më diktatorial mund të kënaqet teksa sheh rrëshqitjen e Evropës në një kaos ekonomik. /abcnews.al