Mes njoftimeve të pakonfirmuara se një tren i divizionit bërthamor të Rusisë është parë duke u nisur drejt Ukrainës, Shtëpia e Bardhë thotë se nuk ka shenja se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore kundër Ukrainës.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, ekspertët e armëve bërthamore thonë se Shtetet e Bashkuara do ta dinin nëse Rusia do të lëvizte armët bërthamore drejt kufirit ukrainas.
Rusia ka rezervën më të madhe të armëve bërthamore në botë dhe ekspertët thonë se ajo ka 10 herë më shumë armë bërthamore taktike se sa Shtetet e Bashkuara. Në mars 2018, Presidenti rus Vladimir Putin paraqiti një sërë armësh të reja, duke thënë se ato mund të godasin pothuajse kudo në botë dhe të mos kapen. Përballë humbjeve ushtarake në Ukrainë, ai ka kërcënuar se do të përdorë “çdo mjet që ka në dispozicion” për të mbrojtur Rusinë.
Të martën, Shtëpia e Bardhë iu përgjigj njoftimeve të pakonfirmuara se Rusia mund të zhvendosë armë bërthamore drejt kufirit me Ukrainën.
“Ne e marrim shumë seriozisht çdo armë bërthamore, ose kërcënim për përdorimin e tyre, por dua të them se nuk kemi parë ndonjë arsye për të ndryshuar gatishmërinë tonë strategjike bërthamore dhe as nuk kemi parë shenja se Rusia po përgatitet të përdorë menjëherë armë bërthamore”, tha Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
Përballë humbjeve ushtarake, Rusia shpalli një mobilizim që ka bërë që qindra mijëra rusë të largohen nga vendi.
Eksperti i Sigurisë Kombëtare Mitchel Wallerstein thotë se nëse zoti Putin do të përdorte armë bërthamore, ai do t’i jepte fund një norme prej disa dekadash.
“Do të ishte një kapërcim i një vije të kuqe që asnjë vend nuk e ka kaluar që nga Lufta e Dytë Botërore. Shqetësimi është se duke u ndjerë gjithnjë e më shumë nën presion dhe me mundësi të kufizuara, ai mund të përpiqet të përdorë armë të vogla bërthamore taktike, ndoshta shumë më të vogla se ato që u përdorën në Hiroshima dhe Nagasaki, ose për t’u përpjekur të përmbysë pushtetin ukrainas në Kiev ose thjesht për të treguar se çfarë mund të jetë në gjendje të bëjë”, i tha Zërit të Amerikës, Mitchel Wallerstein i Këshillit të Çikagos për Marrëdhëniet me Jashtë.
Edhe ekspertë të tjerë janë të shqetësuar. James Acton është bashkëdrejtor i Programit të Politikës Bërthamore në Fondacionin Carnegie për Paqe Ndërkombëtare.
“Mendoj se nëse kjo luftë merr drejtim shumë të keq për Putinin, nëse ai përballet me një disfatë ushtarake katastrofike, nëse rrezikohet pushteti i tij, nëse ekonomia ruse shkon në prag të dështimit, atëherë nuk mund ta përjashtoj mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore nga Rusia. Nuk mendoj se mundësia është shumë e madhe, por mendoj se ka më shumë gjasa tani se në çdo kohë që nga fundi i Luftës së Ftohtë”, thotë ai për Zërin e Amerikës.
Zoti Acton beson se pavarësisht kërcënimeve të tij, presidenti rus nuk mendon se mund të përdorë armë bërthamore për të fituar luftën kundër Ukrainës.
“Qëllimi është të frikësojë Ukrainën, mbështetësit e saj perëndimorë, Shtetet e Bashkuara në veçanti, se kërcënimi i përshkallëzimit të mëtejshëm, kërcënimi i një lufte bërthamore gjithëpërfshirëse mund t’i bëjë ata të tërhiqen, të bëjnë lëshime, për t’i dhënë Putinit një rrugëdalje nga poshtërimi”, thotë zoti Acton.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, thotë se forcat e tij po avancojnë me shpejtësi, duke rimarrë dhjetëra fshatra në Ukrainën lindore dhe jugore.
Ministria ruse e mbrojtjes ka pranuar se forcat ruse janë tërhequr përballë kundërofensive të Ukrainës.
Ekspertët bërthamorë i thonë Zërit të Amerikës se nëse presidenti Putin do t’i afronte armët bërthamore më pranë Ukrainës, SHBA-të do të kishin dijeni për një lëvizje të tillë./VOA