Grupi i Zjarrit me shumë gjasa nuk do të mjaftohet që pakënaqësitë e veta t’i shfaqë vetëm përmes konferencave për media. Të pyetur për hapat e radhës, burime nga ky grup i të pakënaqurve në BDI i thanë TV21 se pas Vitit të Ri menjëherë do të zbresin në bazë. Kjo nënkupton komunikim i drejtpërdrejtë i grupit të zjarrit me degët e partisë, të cilëve do t’ua prezantojnë shqetësimet, sidomos për mosrealizim të programit si dhe kërkesat që kanë.
Nga ajo që është parë deri më tani, degët e BDI-së i prinë “zjarrit” të pakënaqësive për punën e ekzekutivit janë dega Çair dhe Saraj, që drejtohen nga nënkryetari i integristëve Izet Mexhitit dhe kryetari i Sarajit Blerim Bexheti. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe Musa Xhaferi dhe Nevzat Bejta.
I shoqëruar nga të gjithë këta dhe anëtarë të tjerë të Kryesisë Qendrore të BDI-së, ditë më parë Mexhiti doli në konferencë për media, ku hapur para publikut shfaqi pakënaqësitë që kanë për punën e bashkëpartiakëve të tyre në Qeveri. Këtë dalje publike e bënë pasi, siç thanë, mbledhjet në parti janë ndërprerë dhe kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh. Akuzat kryesore që u adresuan ishin ndaj zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubit, për të cilin Mexhiti tha se “vendimmarrja është bërë privilegj ekskluziv i një klani të ngushtë të tij”.
Për të gjitha këto vërejtje e të grupit të zjarrti deri më tani zyrtarisht nga Bashkimi Demokratik për Integrim nuk ka pasur asnjë lloj reagimi.
https://youtu.be/M25O3yEOttY