Ai është një gazetar i njohur, por mbrëmjen e së martës, i ftuar në një emission, gazetari Blendi Fevziu ka rrëfyer momentin më të vështirë të jetës, që lidhet me humbjen e njeriut më të dashur për të, nënën.
“ Momenti më i vështirë, më duket se e kam thënë diku, nuk jam shumë i sigurt, ka qenë një moment, kur ime më ndërroi jetë në Boston në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U deshën 6-7 ditë që të vinte trupi i saj. Ne shkuam bëmë varrimin, të pasnesërmen duhet të nisesha për në Kosovë sepse kisha lënë një intervistë shumë të rëndësishme me Hashim Thaçin që në atë kohë u akuzua nga Dick Marty për këtë gjë që po gjykohet sot. Kisha lënë një intervistë me të, ndërkohë që 4 ditë kisha futur emisione të regjistruara sepse duhet të rrija në shtëpi të prisja njerëz”, tregon Fevziu.
Por, një ditë pas vdekjes së nënës, Blendi tregon se humbi dhe dajën e nënës, një njeri shumë I dashur për të, që e kishte rritur dhe që rrinte në një strehë.
Për të mbërritur në kohë në Prishtinë për intervistën e caktuar, atij iu desh të kërkonte escortë nga policia e Kosovës.
“Ishte një dilemë e tmerrshme sepse ndërkohë u detyrova të mbaroj të gjitha gjërat, mora në telefon, thashë nëse mund të më vini një eskortë policie në pjesën e Kosovës se rruga jonë ishte bërë ndërkohë, mund të shkoje. Ata më vunë në fakt një eskortë dhe unë kam arritur 4 minuta para emisionit, por imagjino se si mund të shkojë njeriu në emision kur një ditë para ka varrosur nënën, një ditë tjetër njeriun më të afërt, megjithatë ndonjëherë ti e kupton që raporti me detyrën është i tillë që ti nuk mund të shkosh”, tregon Fevziu.