Ballina Aktualitet Filloi sezoni i skijimit në Kodrën e Diellit disa javë me vonesë...

Filloi sezoni i skijimit në Kodrën e Diellit disa javë me vonesë për shkak të mungesës së borës (VIDEO)

Pas më shumë se një muaj vonesë si rezultat i mungesës së reshjeve të mjaftueshme të borës, sot u hap zyrtarisht sezoni i skijimit në Kodrën e Diellit, shkruan Portalb.mk.

“Hapim zyrtarisht sezonin e skijimit në Qendrën e Skijimit “Kodra e Diellit”. Mungesa e borës së mjaftueshme për skijim na pamundësoi që deri më tani të shijojmë skijimin në Kodrën e Diellit, por tani është koha të kompenzojmë mungesën e saj”, njoftoi drejtori i kësaj qendre turistike, Adem Avziu.

Sipas njoftimit të qendrës turistike, ski-ashensorët dhe teleferikët do të funksionojnë nga ora 8:45 deri në ora 15:30.

Kjo është çmimorja e biletave të skijimit për këtë sezon.

Çmimorja e biletave të skjimit në Kodrën e Diellit

Këtë vit, ka edhe ndryshime për sa i përket çmimeve të biletave të skijimit gjatë vikendit, edhe atë për 20% më shumë në krahasim me vitin e kaluar. Ndërsa gjatë javës çmimet e biletave të skijimit janë njëjtë si vitin e kaluar. Nga kjo qendër thonë se përkundër kësaj, përsëri çmimet janë më të lirat në rajon.

Për shkak të motit të ngrohtë sezoni i skijimit vonoi me javë të tëra ndërsa  qendrat turistike në vendin tonë në humbje. Për sa i takon Kodrës së Diellit, drejtori i kësaj qendre më 18 janar në një intervistë  për Portalb.mk sqaroi se humbjet e deritanishme në këtë qendër dimërore-rekreative për shkak të pamundësisë së fillimit të sezonit të skijimit janë rreth 500 mijë euro.

“Temperaturat sa i përket kësaj periudhe kohore në Kodrën e Diellit kanë qenë më të larta të mundshme ndonjëherë. Kemi pasur ditë ku temperatura maksimale ka qenë 15 gradë celsius e cila nuk mbahet mend të ketë ndodhur në këtë periudhë kohore në Kodrën e Diellit.”, sqaroi Avziu.

Kujtojmë që investitorët nga Italia të interesuar për Kodrën e Diellit nga kompania “TechnoAlpin” në muajin dhjetor kanë prezantuar planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Procesi është në fazën e hershme përgatitore dhe kontrata nuk është nënshkruar ende, marrëveshja pritet të nënshkruhet gjatë muajit janar.  Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove. Në fazën e parë prioritet pritet të ketë ndërtimi i sistemeve për borë artificiale, pasi planifikohet që sezoni të zgjasë më gjatë dhe jo të varet nga reshjet e borës. Faza e parë e cila kap vlerën prej 55 milionë eurove kap periudhën 2023-2028 ndërsa fazat e tjera (2-7) nga viti 2028 e tutje.

Përndryshe, kjo qendër turistike për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Ndër problemet e mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe të tjera.

Video: