Ibrahim Milushi, inxhinier në Institutin e Gjeoshkencave tha në emisionin Now në Euronews Albania se Shqipëria është një zonë aktive sa i takon tërmetit, por tërmetet e mëdha nuk janë aq të shpeshtë tek ne janë.
Inxhinieri tregoi se nisur nga historiku i tërmeteve në vendin tonë, ato që në gjeologji quhen tërmete të rëndësishëm ndodhin përafërsisht 1 herë në 30 vjet.
“Që nga 1935 e këtej, si tërmete të mëdha është ai i Shkupit në 1963, 6,1 i shkallës Rihter, i Dibrës, 5,8 me pasoja të mëdha, kemi tërmetin Ulqin-Shkodër, në ‘79 më i madhi që është regjistruar në zonën rreth nesh që është 6,9 Rihter, kemi tërmetin e 26 nëntorit që ishte 6,4 Rihter, një tërmet i përmasave shkatërrimtare. Në klasifikimin e shkencëtarëve, këta futen në tërmete të moderuar deri në 7 shkallë Rihter. Tërmetet e rëndësishëm tek ne kanë një interval kohor në çdo 30 vjet, me përafërsi”, tha inxhinieri.
Ai shtoi se fuqia e tërmetit që goditi Turqinë ishte sa 130 bomba bërthamore, ose i barabartë me shpërthimin e 6 mln tonë tritol.
“Turqia ka një ndërtim tektonik shumë të ndërlikuar. Zona ku ka ndodhi tërmeti quhet zona tektonike e Anadollisë lindore, por ky tërmet ka një magnitudë shumë të lartë dhe të kësaj shkalle nuk ka pasur ka pasur në këtë rajon. Mund të them që një tërmet me magnitudë 8 ballë është i barabartë me shpërthimin e 6 mln tonë tritol”, tha inxhinieri Milushi. /Euronews Albania