Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson ka paralajmëruar se siguria e Britanisë së Madhe mund të rrezikohet nëse Ukraina humbet luftën e saj me Rusinë. Në një intervistë për Sky News, në prag të përvjetorit të parë të luftës, Johnson tha se Mbretëria e Bashkuar duhet të thyejë akullin dhe të bëhet vendi i parë që do të dorëzojë avionë luftarakë në Ukrainë.
“Ukraina dëshiron F-16. Ne nuk i kemi, por kemi tajfunë. Mendoj se Britania duhet të thyejë akullin dhe të dërgojë tajfunë në Kiev. Nëse Rusia fiton, Putini mund të kërcënojë shtetet baltike dhe siguria e Britanisë së Madhe do të rrezikohej ”, tha Johnson.
“Ky është një moment kritik për të gjithë botën”
Ish-kryeministri britanik komentoi edhe situatën me Kinën dhe deklaroi se Pekini do të bënte një “gabim historik” nëse do të furnizonte Moskën me armë. Ai shtoi se ishte shumë i shqetësuar për takimin e djeshëm mes diplomatit kinez Wang Yi dhe Vladimir Putin.
Në intervistë, Johnson e quajti Putinin një gangster dhe tha se ai mund të kërcënonte vendet e tjera më vonë. “Risqet janë shumë të larta. Ai mund të kërcënojë të gjitha pjesët e ish-perandorisë sovjetike që dëshiron t’i frikësojë. Ky është një moment absolutisht kritik për të gjithë botën,” tha ai./tetova.com