Shërbimi IT i ekzekutivit të BE-së u ka kërkuar të gjithë punonjësve të Komisionit Europian që të çinstalojnë TikTok-un nga pajisjet e tyre (telefon, tablet, laptop).
Shkak është shqetësimi për privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave.
Kërkesa për të çinstaluar aplikacionin e mediave sociale në pronësi kineze iu komunikua me email zyrtarëve të BE-së më 23 shkurt.
“Për të mbrojtur të dhënat e Komisionit dhe për të rritur sigurinë kibernetike, Bordi i Menaxhimit të Komisionit Europian ka vendosur të pezullojë aplikacionin TikTok në pajisjet e përdorura në punë dhe pajisjet personale të regjistruara në shërbimet e pajisjeve celulare të Komisionit”, shkruhet në email.
Punonjësve iu kërkua ta bënin këtë sa më shpejt që të ishte e mundur dhe jo më vonë se 15 marsi. Për ata që nuk respektojnë afatin e caktuar, aplikacionet e Komisionit si emaili dhe Skype nuk do të jenë më të disponueshme.
“Jemi të zhgënjyer me këtë vendim, i cili besojmë se është i gabuar dhe i bazuar në keqkuptime thelbësore. Ne kemi kontaktuar Komisionin për të shpjeguar se si i mbrojmë të dhënat e 125 milionë njerëzve në mbarë BE-në që futen në TikTok çdo muaj”, tha një zëdhënës i TikTok.
Nëntorin e kaluar, TikTok pranoi se të dhënat personale të përdoruesve në mbarë botën mund të aksesoheshin nga qeveria kineze. Kjo deklaratë erdhi pas zbulimeve nga Forbes se aplikacioni po përdorej për të spiunuar gazetarët.
TikTok kohët e fundit është ndaluar në pajisjet qeveritare në Shtetet e Bashkuara në nivel shtetëror dhe federal. Edhe pse asnjë qeveri europiane nuk ka ndjekur shembullin e SHBA-së, zyrtarët holandezë thuhet se janë këshilluar të mos e përdorin aplikacionin kinez.
Muajin e kaluar, CEO i TikTok, Shou Zi Chew u takua me zyrtarë të lartë të BE-së, të cilët i thanë atij se kompania kishte një rrugë të gjatë për të bërë për të rifituar besimin e tyre.