Tërmetet e 6 shkurtit që tronditën kufirin turko-sirian kanë shkaktuar mbi 40 mijë viktima dhe shifra pritet të rritet.
Banorët e zonave të goditura janë ende në gjendje shoku dhe nuk arrijnë të shpjegojnë si duhet ndjesitë që iu ka lënë ngjarja e rëndë.
Një banor, Nuri Cihan, rrëfeu për CNN Turqi si u nda i gjithë fshati i tij përgjysmë. Madje edhe varrezat e fshatit u shkatërruan.
“Çarjet u krijuan në mëngjesin e tërmetit. Menduam se apokalipsi do të shpërthente. Të çarat ishin pak më të hapura, binte shi, dhe me kalimin e kohës filluan pasgoditjet”.
Lëkundjet e forta shkaktuan çara në varreza, dëmtime të disa varreve dhe copëtim të gurëve. Nuri Cihan, i cili ka lindur dhe është rritur në fshatin Gökçedere, tregoi i emocionuar sesi ai dhe bashkëfshatarët e tij u bashkuan për të punuar për rregullimin e varreve.