Ballina Aktualitet Presidentja Osmani pritet me ceremoni shtetërore në Shkup, nesër viziton Tetovën (VIDEO)

Presidentja Osmani pritet me ceremoni shtetërore në Shkup, nesër viziton Tetovën (VIDEO)

Presidenti Stevo Pendarovski sot ka pritur në takim Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Presidenti Pendarovski dhe presidentja Osmani-Sadriu zhvilluan një takim kokë më kokë, i cili u pasua nga takimi plenar i dy delegacioneve.

Në fokus të bisedimeve janë marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës dhe mundësitë për avancimin e tyre, perspektiva evropiane e dy vendeve, zhvillimet aktuale në lidhje me dialogun Beograd-Prishtinë, si dhe situata në rajon dhe më gjerë në kontekstin e luftës në Ukrainë.

Pas mbledhjes plenare të delegacioneve, është paraparë që presidenti Pendarovski dhe presidentja Osmani-Sadriu të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.

Në kuadër të vizitës zyrtare, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi, me kryetarin e Qeverisë, Dimitar Kovaçevski dhe do të mbajë fjalim në një seancë ceremoniale në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë të enjten (27.04.2023) Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu për vizitë zyrtare do të qëndrojë edhe në Komunën e Tetovës, ku do të zhvillojë takim me kryetarin Bilall Kasami.