Pozita strategjike e Turqisë dhe rëndësia e saj si lidhje midis Evropës dhe Azisë kanë bërë që bota t’i presë me padurim rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në këtë vend. Presidenti aktual, Recep Tayyip Erdogan, do të përballet kokë më kokë me rivalin e tij të opozitës, Kemal Kilicdaroglu, në balotazhin e 28 majit. Në rrethin e parë, më 14 maj, Erdogan ka siguruar 49.51 për qind të votave – qartazi më shumë se Kilicdaroglu me 44.88 për qind, por, për të fituar garën plotësisht, duhen më shumë se gjysma e votave. Erdogan është shprehur i bindur se do të dalë fitues në rrethin e dytë.
“E kemi tejkaluar konkurrentin më të afërt në zgjedhje me 2.6 milionë vota. Unë besoj se kjo shifër do të rritet shumë më lart në rezultatet përfundimtare”, ka thënë Erdogan.
Erdogan ka dëshmuar se sondazhet e opinionit kanë qenë gabim. Shumë sondazhe parazgjedhore kanë treguar se rivali i tij është në rrugë të duhur për të fituar që në rrethin e parë. Për më tepër, ai ka pasur mbështetjen e një grumbulli partish me orientime të ndryshme. Kilicdaroglu ka kërkuar nga mbështetësit që “të mos dëshpërohen” dhe të marrin pjesë në rrethin e dytë të zgjedhjeve.
“Të rinj, çohuni dhe zhdukeni dëshpërimin. Ata që e duan atdheun e tyre, shkojnë në kuti të votimit. Ne do të luftojmë deri në fund dhe do të fitojmë patjetër”, është shprehur Kilicdaroglu. Sinan Ogan, pretendenti i tretë presidencial, ka fituar 5.2 për qind të votave, të cilat mund të jenë vendimtare për rezultatin final. Megjithatë, ai nuk ka dhënë asnjë shenjë se nga do t’i orientojë mbështetësit e tij.
“Ne do të bëjmë çmos që ky proces të jetë i mirë për kombin dhe vendin tonë. Në këtë moment nuk po e them se do të mbështesim njërën apo tjetrën parti”, ka thënë Ogan.
Zgjedhjet në Turqi po ndiqen ndërkombëtarisht për të parë drejtimin që do të marrë vendi. Nën sundimin 20-vjeçar të Erdoganit, anëtarja e NATO-s ka kultivuar marrëdhënie më të ngrohta me Rusinë, është bërë më pak laike dhe ka anuar kah autoritarizmi, me kontroll të madh mbi media dhe gjyqësor. Qeveria e Erdoganit ka akuzuar, po ashtu, Perëndimin se ka bërë komplot për ta rrëzuar atë, ndërsa kandidatura e Turqisë për anëtarësim në BE ka kohë që është ngrirë. Kilicdaroglu, i cili ka një qëndrim më pro-perëndimor, ka premtuar se do ta riorientojë vendin si një demokraci dhe se do t’i përmirësojë marrëdhëniet me aleatët e NATO-s.
Në pyetjen se çfarë do të thoshte fitorja e Kilicdaroglut për Turqinë, Emre Erdogan, profesor i shkencave politike në Universitetin Bilgi të Stambollit, shprehet kështu për Exposenë: “Para së gjithash pluralizëm. Me vite të tëra, Qeveria e Erdoganit ka vepruar si moniste, duke e paraqitur veten si përfaqësuese të vetme të kombit. Fitorja e kandidatit opozitar do të sillte më shumë hapësirë për diversitet dhe pluralizëm. Ky do të ishte ndryshimi i parë i rëndësishëm. Pastaj, liritë civile do të shtoheshin po ashtu, liria e shprehjes, liria e mendimit… Qeveria e Erdoganit, si rezultat i qeverisjes 20-vjeçare, ka lidhje të ngushta edhe me organizata biznesore, me disa kompani dhe disa konglomerate. Kjo, qartazi, do të ndryshonte”.
Në aspektin ndërkombëtar, fitorja e mundshme e Kilicdaroglut do të sillte po ashtu ndryshime, thotë për Exposenë Louis Fishman, ligjërues i historisë së Lindjes së Mesme në Kolegjin e Bruklinit. Me Kilicdaroglun, sipas tij, Turqia do të përpiqet t’i përmirësojë lidhjet e saj me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.
“Me fuqinë që ka Erdogani, gjithsecili do të ishte i lumtur të shihte largimin e tij – mendoj në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, sepse ata kanë marrëdhënie të tensionuara me të dhe duan një fillim të ri. Por, Rusia në anën tjetër, do të mërzitej nga largimi i tij. Erdogani dhe presidenti rus, Vladimir Putin, ka 5-6 vjet që mbajnë marrëdhënie shumë, shumë të ngushta”, thotë Fishman.
Më 14 maj, turqit kanë votuar edhe për 600 ulëset e Parlamentit. Edhe në këto zgjedhje, partia e Erdoganit ka kaluar mirë, duke fituar shumicën. Profesori Emre Erdogan thotë se presidenti ka arritur t’i kthejë gjërat në favor të tij, përkundër situatës së rënduar ekonomike, me inflacion dhe papunësi të lartë, dhe përkundër pasojave shkatërruese të tërmeteve të shkurtit. Sipas tij, mesazhi i Erdoganit për të vënë interesat e sigurisë kombëtare përpara sfidave ekonomike, ka bindur një pjesë të konsiderueshme të mbështetësve të tij konservatorë dhe nacionalistë. Emre Erdogan nuk pret befasi më 28 maj.
“Natyrisht, Erdogani duket se është në avantazh, sepse ai është shumë afër 50-përqindëshit. Partia e tij ka marrë shumicën edhe në Parlament. Ai do ta shfrytëzojë këtë çështjen e stabilitetit [institucional] dhe do të kërkojë nga votuesit t’i japin mbështetje partisë së njëjtë, si në Parlament, ashtu edhe në Presidencë”, thotë Erdogan. Edhe Louis Fishman, nga Kolegji i Bruklinit, mendon se opozita do ta ketë shumë të vështirë në balotazh.
“Qeveria e Erdoganit ka ardhur në pushtet 20 vjet më parë. Në vitin 1999 ka ndodhur një tërmet masiv, ekonomia ka qenë e tmerrshme. Kështu që Erdogan i ka formulat. Në të njëjtën kohë, ai përdor edhe kartën nacionaliste, e cila është pompuar vërtet”, thekson Fishman.
Fishman thotë se një rol të madh në prag të balotazhit do të luajnë edhe mediat, të cilat kryesisht kontrollohen nga Qeveria e Erdoganit.
“Nëse i shohim mediat, një natë përpara zgjedhjeve, Erdogan është shfaqur në 25 kanale, ndërsa Kilicdaroglu në vetëm dy ose tre kanale. Po flas për kanalet kryesore që shihen në Turqi. Natën e zgjedhjeve, ndërkaq, kemi pasur një agjenci kryesore që vazhdimisht e tregonte Erdoganin në pozicion më të mirë seç e paraqisnin sondazhet në fillim. Pra, edhe kjo është demoralizuese”, thotë ai. Vëzhguesit evropianë të zgjedhjeve kanë thënë se procesi i votimit në Turqi ka qenë përgjithësisht “i organizuar mirë”. Por, presidenti aktual ka pasur një “avantazh të pajustifikuar”, duke përfshirë mbulimin e njëanshëm mediatik”, ka thënë Koordinatori Special i OSBE-së, Michael Georg Link.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan (majtas), gjatë një takimi me presidentin rus, Vladimir Putin, në margjinat e një konference në Astana, në tetor 2022. Si profesori Erdogan, ashtu edhe Fishman paralajmërojnë se fushata para balotazhit mund të jetë e egër. Përpara votimeve të 14 majit, Erdogan ka përçmuar opozitën, duke thënë se mbështetet nga Partia e jashtëligjshme e Punëtorëve të Kurdistanit. Kilicdaroglu ka thënë se Erdogan ka dështuar të arrijë rezultatin që ka dashur, pavarësisht se ka bërë “shpifje dhe fyerje” ndaj opozitës. Analistët thonë se si Erdogan, ashtu edhe Kilicdaroglu i kanë sytë tani te votat që ka fituar kandidati i tretë. Derisa Sinan Ogan pret ofertat që mund t’i bëhen nga Qeveria ose opozita, analistët thonë se ish-deputeti nacionalist ka një ideologji që i përshtatet më mirë aleancës së Erdoganit.
Fitorja do t’i jepte Erdoganit mandatin e tretë. Herë si kryeministër, herë si president, ai ka qenë në pushtet qysh në vitin 2002. Kjo do të thotë se ai ka udhëhequr vendin më gjatë se çdo president turk dhe madje shumë sulltanë otoman.
Fitorja e Kilicdaroglut, në anën tjetër, do të simbolizonte dëshirën e një pjese të madhe të elektoratit për ndryshime. Qytetarët turq do t’u drejtohen kutive të votimit edhe në fund të marsit të vitit të ardhshëm, për zgjedhjet lokale. Dy partitë kryesore të opozitës në të kaluarën, kanë propozuar kandidatë të përbashkët, duke ia dalë të fitojnë postet e kryebashkiakëve në zonat kryesore metropolitane. Analistët thonë se ndarja e mundshme e opozitës do t’i mundësonte partisë së Erdoganit të zgjeronte kontrollin e saj edhe në bashkitë e mëdha, si Stambolli dhe Ankaraja. Në SHBA, senatori Chris Murphy, anëtar i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, ka thënë se Turqia do të jetë një partnere jetike e SHBA-së, pavarësisht se kush do ta udhëheqë këtë vend. /REL