Gazetare: Fatlume Dervishi
Ramiz Merko nuk përgjigjet në telefon kurse nga kabineti i tij në Komunën e Strugës janë të pakapshëm për qëndrim, një ditë pasi Departamenti amerikan i Shtetit e shpalli atë të padëshiruar në SHBA për shkak të lidhjeve të forta me korrupsionin dhe përzierje në raste gjyqësore. Merko gjatë ditës anuloi të gjitha aktivitetet lokale në Strugë dhe shmangu mediat.
Po kaq të heshtur kanë qenë që pasditën e djeshme edhe nga partia e tij, BDI-ja. Nga partia e Ahmetit as sot nuk u përgjigjën pyetjeve të Alsat për të komentuar vendimin e Departamentetit të Shtetit dhe as për llogarinë që do të kërkojnë nga Merko.
Vendimi për Merkon u bë i ditur një ditë më parë nga Departamenti amerikan i Shtetit, disa muaj pasi ambasadorja amerikane në vend Angela Ageler kishte njoftuar se institucionet në SHBA kishin nën thjerrë disa politikanë, biznesmenë e persona të gjyqësorit në vend.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Koordinatori për Antikorrupsionin në Departamentin amerikan të Shtetit, Riçard Nefju nuk zbardhi më shumë nga dëshmitë që kanë për Merkon.
“Informacioni që u publikua si pjesë e njoftimit për shtyp tregon se bëhet fjalë për përvetësim fondesh dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore. Dhe ju e dini, duke pasur parasysh natyrën e përcaktimeve dhe bazën e tyre ligjore, ky është informacioni që ne mund të bëjmë publik mbi këtë rast”, deklaroi Riçard Nefju, Koordinatori për Antikorrupsionin në Departamentin amerikan të Shtetit.
Nefju shtoi se këto vendime SHBA-të i marrin për të treguar mbështetjen e tyre për sundimin e ligjit dhe për përpjekjet kundër korrupsionit. Zyrtarët amerikanë dhanë sinjale se presin veprime nga institucionet vendase.
“Shpresoj që ky vendim do të ndihmojë qeverinë e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin”, tha Gabriel Escobar, zv/ndihmës sekretar amerikan i shtetit për çështje evropiane.
Ambasadorja e SHBA-së ne vend Angela Ageler konfirmoi se nën hetim janë edhe emra të tjerë.
“Unë s’mund të flas për kohën kur do të bëhen shpalljet e ardhshme por besoj se do të ketë të tjera. Vetëm dua të theksoj se ne në SHBA e marrim këtë shumë seriozisht, i marrim pretendimet për korrupsion shumë seriozisht sepse qytetarët e këtij vendi kanë të drejtë që të kenë zyrtarë të zgjedhur tek të cilët mund të besojnë. Çfarë ndodh që këtu e tutje në vend unë nuk do të supozoja. Unë jam ambasadore dhe nuk është në dorën time të sugjeroj veprime të tjera që i takojnë qeverisë ose gjyqësorit së këtij shteti”, u shpreh Angela Ageler, Ambasadore e SHBA-së.
Merko është politikani i tretë nga Maqedonia i vendosur në listën e zezë amerikane për shkak të korrupsionit të madh. Më 11 prill të vitit të kaluar, për të njëjtën arsye, Departamenti i Shtetit futi në listën e zezë ish-kryeministrin Nikola Gruevski dhe ish-drejtorin e DSK-së Sasho Mijalkov. /Alsat.mk