Një efektiv i policisë së Kosovës është vrarë në veri, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Leposaviçit, ndërsa lajmi konfirmohet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili thotë se “sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda”.
Polici i vrarë është shtetasi me iniciale A.B., me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare.
Të dashur qytetarë,
Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjskë të Zveçanit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda.
Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve.
Policia e Kosovës e ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B. Polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë. Ngushëllime familjes dhe të gjithëve për policin tonë të vrarë. Shërim të shpejtë e të plotë policit të plagosur.
Polici i rënë në veri la pas vetes gruan e tre fëmijë
Në familjen e policit të vrarë në veri, në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë kanë nisur vizitat e familjarëve për ngushëllime.
Pran shtëpisë së policit të rënë në detyrë po qëndrojnë Policia e Kosovës dhe autoambulanca, pasi gjendja emocionale e familjarëve të tij është jo e lehtë.
Gjatë orëve të para të mëngjesit, familjarët kanë shkuar edhe në QKUK ku kanë marrë lajmin se po kryhet obduksioni i policit të rënë në krye të detyrës e tek më pas do të mund ta marrin trupin e familjarit të tyre.
Deri në këto momente nuk ka ndonjë informacion se për vizitë do të vijë dikush nga krerët e shtetit, por një gjë e tillë pritet ta bëjnë gjatë ditës.
Polici i rënë në detyrë ka lënë prapa vetës gruan dhe tre fëmijë ndërsa gjendja e tyre shëndetësore është jo e mirë aktualisht.