Ballina Aktualitet Sveçla: Manastiri në Banjskë, “burim i sulmeve”! Mbi 30 persona po e...

Sveçla: Manastiri në Banjskë, “burim i sulmeve”! Mbi 30 persona po e vazhdojnë sulmin ndaj Policisë, u bëjmë thirrje të dorëzohen

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Manastiri në fshatin Banjskë në veri është “burim i sulmeve me armë zjarri” në zonën përreth.

Si pasojë e sulmeve, një zyrtar i Policisë së Kosovës është vrarë të dielën në atë zonë.

“Sulmi ka ardhur dhe po vazhdon akoma nga njësi profesionale të përgatitura dhe me një përbërje prej mbi 30 personave, të uniformuar, të maskuar dhe të pajisur ushtarakisht me mjete të blinduara dhe armë të rënda të llojeve të ndryshme”, tha ministri.

Sveçla ka thënë se këta persona të armatosur janë rrethuar brenda Manastirit.

“Këta terroristë janë të rrethuar nga njësitë policore dhe është koha e fundit që të dorëzohen”, shtoi ai.

Dioqeza e Rashkës – Prizrenit ka thënë pak më parë se është e shqetësuar për shkak se “një grup personash të armatosur, të maskuar, kanë hyrë në Manastirin (Banjskë) me automjet të blinduar, duke thyer portën e mbyllur të Manastirit”.

“Persona të armatosur, të maskuar, po lëvizin nëpër oborr dhe herë pas here dëgjohen të shtëna. Dioqeza dënon ashpër dhunën e hapur që ushtrohet në objektin fetar të Kishës Ortodokse Serbe, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që sa më parë t’i japin fund konfliktit”, është thënë në njoftim, pa u specifikuar se kush janë këta persona të armatosur.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur sulmin si terrorist, duke thënë se krimi i organizuar me “mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë”.

Kurti ka thënë në konferencë për media se në zonën ku është vrarë zyrtari policor, janë duke vazhduar akoma sulmet.

“Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoj që të dorëzohen te organet tona të sigurisë”, tha ai.

Ai ka thënë se formacioni me këta persona “profesionistë” është në dhe rrotull Manastirit në Banjskë.

Teksa i ka shfaqur disa fotografi në ekran, Kurti ka thënë se banorët lokalë serbë “nuk kanë automjete të tilla, dhe asnjë civil tjetër në Republikën e Kosovës”.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier i ka dënuar ashpër sulmet “e dhunshme dhe të orkestruara“ ndaj Policisë së Kosovës.

“Policia e Kosovës ka legjitimitet të plotë për të garantuar sundimin e ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ne e pranojmë dhe respektojmë rolin e saj si përgjigja e parë ndaj emergjencave dhe situatave të krizës”, ka thënë ambasadori Hovenier.

Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta prej majit, kur banorët e komunave me shumicë serbe në veri nuk i kanë pranuar kryetarët e rinj shqiptarë, të dalë prej zgjedhjeve që vetë i kanë bojkotuar.

Situata, me raste, është përshkallëzuar në dhunë.

Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të koordinohet për hapat e mëtejmë dhe të punojë drejt shtensionimit të situatës./ REL

@tn.lajmelokale
@tetovanews