Ballina Teknologji Konkurrenca me Youtube, TikTok teston videot 15-minutëshe

Konkurrenca me Youtube, TikTok teston videot 15-minutëshe

TikTok po teston mundësinë që përdoruesit të ngarkojnë video me kohëzgjatje 15 minuta.

Gjigandi i medias sociale tha se limiti i ri po testohet në rajone të zgjedhura me një grup të kufizuar përdoruesish, por nuk ka dhënë detaje të tjera për “TechCrunch”. Opsioni i ri do të shtojë limitin e videove nga 10 minuta në 15.

Ndryshimi u vu re nga një përdorues i rrjeteve sociale, Matt Navarra i cili postoi një ‘screenshot’ të një mesazhi ndaj përdoruesve që mund të përdorin opsionin e ri. Sipas fotos, përdoruesit mund të ngarkojnë video më të gjata si nga aplikacioni celular ashtu edhe nga ai ëeb.

Ky opsion mund të jetë i dobishëm për përdoruesit që postojnë receta gatimi, këshilla bukurie, përmbajtje edukative apo skeçe për të qeshur pa qenë nevoja që të krijojnë një video të re për vazhdimin e postimit të tyre.

Nga ana tjetër, ndryshimi e fut TikTok në konkurrencë me Youtube. Opsioni i ri tregon se TikTok po përpiqet të tërheqë përdorues që zakonisht postojnë video të gjata në Youtube. Ndërkohë ky i fundit po përpiqet të përshtatet me videot e shkurtra me Shorts.

Për më tepër, platforma po teston videot horizontale në disa vende të përzgjedhura. Sa i përket videove 15-minutëshe, nuk dihet ende se kur opsioni do të jetë i disponueshëm për të gjithë përdoruesit e platformës./tvklan.al