Zhvillimet në Lindjen e Mesme kanë qenë të ethshme që nga orët e para të së shtunës, pas pushtimit të territoreve izraelite nga Hamasi dhe vendimit të qeverisë Netanyahu për të shpallur gjendjen e luftës dhe për të rimarrë kontrollin e rajonit.
Shqiptarja Irena Stein-Stenova, që jeton në Izrael prej 32 vitesh ka ndarë detaje nga gjendja aktuale në një lidhje me Skype për “Neews Line”.
Ajo zbuloi se që prej muajit maj kishin paralajmërime për sulme. Madje, ajo theksoi që prej së shtunës, ushtria del në rrugë për udhëzime.
“Unë jam 40 km larg Gazës dhe të shtunën në mëngjes në 06:35 minuta filloi sirena. U ngrita dhe vajta në dhomën e sigurisë dhe pastaj u dëgjuan bumet dhe ishte një numër shumë i madh breshëri raketash, që ishte dhe vazhdimësi e sirenave. Edhe tani para 10 minutash, kishim sirenë.
Ne jemi larg zonës së rrezikut, ne jemi një qytet që nuk i intereson shumë Hamasit. Ai është më shumë i interesuar t’i gjuaj Telavivit dhe ata që ka afër se atyre i shkakton dëm të madh. Por krimi më i madh që kanë gjuajtur dhe Jeruzalemin. Një musliman i lirë nuk gjuan me raketa në Jeruzalem.
Të gjithë flasin që do të ketë sulm, ne kemi në muajin maj një sulm. Ka pasur vazhdimisht sulme, por tani nga Hamasi nuk prisnin. Në një far forme Hamasi e preu në besë Izraelin”.
Më tej, shqiptarja tregoi se aktualisht shkollat janë të mbyllura në Izrael, megjithatë njerëzit vazhdojnë punë me besimin që lufta do të mbarojë.
“Shkollat janë mbyllur, në punë shkojnë njerëzit dhe janë të orientuar që në qoftë se ka sirenë të futen në dhomat e sigurisë. Çdo treg, çdo ndërrmarje, çdo zyrë ka atë dhomën e sigurisë së vetë dhe kujdesen për sigurinë e njerëzve dhe gjithmonë del ushtria dhe thotë: ‘Zbatoni udhëzimet sepse ju shpëtojnë jetën’.
Unë kam 32 vjet që jetoj në Izrael. Kam ikur nga Shqipëria që në prill të 1991. unë si individ nuk jam e trembur dhe kam besim që lufta do mbarojë dhe kam besim që do fitoi Izraeli. Nuk ndihem e rrezikuar”./abcnews.al