Që nga mëngjesi i së enjtes, në Gjermani u kontrolluan një sërë ndërtesash të disa oganizatave islamike. Hetimi ishte fokusuar sidomos kundër shoqatës “Islamisches Zentrum Hamburg” (Qendra islame e Hamburgut, IZH) , e cila sipas autoriteve gjermane, supozohet të veprojë kundër rendit kushtetues dhe idesë së mirëkuptimit ndërmjet kombeve, siç njoftoi ministria e Brendshme e Gjermanisë, të enjten në Berlin, shkruan DW.
Senatori i Brendshëm i Hamburgut, Andy Grote (SPD) tha se bastisjet mbarëkombëtare, me fokus në Hamburg, ishin një goditje e fortë për IZH. Ai supozon se hapi tjetër logjik është procedura për ndalimin e organizatës. Sipas Ministrisë Federale të Brendshme, u kontrolluan gjithsej 54 prona në shtatë lande federale dhe u konfiskuan para dhe mjete të teknologjisë informative.
Faeser: Nuk tolerojmë propagandë antisemite dhe antiizraelite
Ministrja gjermane e punëve të Brendshme, Nancy Faeser, tha të enjten në Berlin, gjatë një prononcimi për media: “Ua kemi vënë syrin qarqeve islamiste. Sidomos tani në një kohë kur shumë hebrenj e ndiejnë veten të kërcënuar, nuk do të tolerojmë propagandë islamiste e as nxitje për urrejtje antisemite dhe antiizraelite”.
Përveç IZH, në fokus të kontrolleve ishin edhe pesë shoqata të tjera që supozohet të jenë degë të kësaj organizate, u bë e ditur më tej nga ministria. Kontrollet janë kryer në Hamburg, Saksoni të Poshtme (Niedersachsen), Hessen, Baden-Württemberg, Bavari, Berlin dhe Renania Veriore -Vestfali (NRW). Aktivitetet e Qendrës Islame, e cila është përgjegjëse për Xhaminë Imam Ali në Hamburg, kanë për qëllim përhapjen e ideve të liderëve më të lartë të revolucionit iranian. Autoriteti Federal i Gjermanisë për Mbrojtjen e Kushtetutës supozon se IZH ushtron ndikim të madh deri në të plotë në disa xhami dhe klube.
Kiesewetter: Duhet të edukojmë brezin e ri
Politikani i opozitës kristdemokrate, Roderich Kiesewetter, tha në një intetrvistë me DW news, se ky hap duhej bërë prej kohësh: “Qendra Islamike e Hamburgut nuk mbështet vetëm Iranin, por edhe spiunazhin, devijimin e sanksioneve dhe shumë të tjera”, argumentoi ai. Kiesewetter u shpreh veç kësaj , se qeveria duhet të investojë më shumë në arsim dhe shkolla, për të shpjeguar edhe për ata që nuk janë lindur në Gjermani ose që kanë prejardhje jo nga Gjermania, historinë e Gjermanisë në vitet 30, zhdukjen e hebrenjve dhe se çfarë gabimesh ka bërë në atë kohë Gjermania. Kiesewetter tha se duhet të kërkojmë prej strukturave islame në Gjermani që të kërkojmë të pajtohen me rendin tonë kushtetues dhe të mos jenë një shtet në shtet. “Pres më shumë shpjegim dhe orientim për popullatës tonë që të jenë të vetëdijshëm që të mos pranojnë intolerancën dhe antisemitizmin nga çdo drejtim, por sidomos nga bashkësia islame. Sepse ne kemi nevojë për pajtim, për një shoqëri të fortë kohezive dhe jo një shoqëri që tregon gishtin kundër hebrenjve.”
Politikani liberal: Gjermania është treguar naive me islamistët
Marcus Faber, nga partia liberale i tha DW news se Gjermania është treguar naive me islamizmin në të kaluarën. Qeveria federale ka ndaluar aty këtu ndonjë shoqatë, prandaj bastisje të tilla janë një mjet tjetër i rëndësishëm për të arritur që organizata terroriste të tilla, siç është Hamas ose Hazbollah, të mos kenë gjurmë në Gjermani”, tha ai.
Bordi i Këshillit Qendror të Myslimanëve të Gjermanisë (Zentralrat der Muslime Deutschland) reagoi ndaj bastistjeve duke e pezulluar anëtarësinë e IZH-së, ashtu siç e parashikon statuti. Në një deklaratë të tij ndër të tjera thuhet: “Vlen prezumimi i pafajësisë dhe ne kemi besim të plotë në shtetin tonë kushtetues. Gjithsesi, është në interes të të gjithë të prekurve që të ndërmarrim këtë hap deri në zbardhjen e çështjes. Bordi prej kohësh po zhvillon diskutime intensive me IZH-në lidhur me akuzat e bëra ndaj saj me qëllim ruajtjen e xhamisë mbi 60-vjeçare dhe traditës së gjatë të jetës shiite në Gjermani”. IZH vetë bëri të ditur se do të bashkëpunojë me organet zyrtare për zbardhjen e çështjes”.
Një javë më parë Gjermania ndaloi veprimtarinë e organizatës militante islamiste Hamas edhe të rrjetit palestinez, Samidoun. “Antisemitizmi nuk ka vend në Gjermani, ne do ta luftojmë atë me të gjithë fuqinë”, tha ministrja Faeser duke shpjeguar vendimin dhe parlajmëroi se po punohet për ndalime të tjera.
Në ndërkohë, sot, disa zona në pjesët qendrore dhe veriore të Rripit të Gazës u përballën me sulme intensive nga avionët luftarakë dhe artileritë izraelite. Nga ana tjetër Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi të mërkurën rezolutën e parë që nga shpërthimi i luftës që p bën Izraeli në Gaza. Rezoluta bën thirrje për “pauza urgjente dhe të zgjatura humanitare” në Gaza, për të trajtuar krizën e përshkallëzuar të civilëve palestinezë gjatë sulmeve ajrore dhe tokësore të Izraelit.