Ballina Aktualitet Tensione në Këshillin Komunal të Tetovës për kryqin në Kodrën e Diellit...

Tensione në Këshillin Komunal të Tetovës për kryqin në Kodrën e Diellit (Video)

Seanca e jashtëzakonshme e Këshillit Komunal të Tetovës për vendosjen e kryqit në Kodrën e Diellit i cili nuk ka leje nga Komuna e Tetovës, kaloi me tensione. Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së pasi dhanë mbështetje për kryqin e vendosur e braktisën sallën. Pas tyre sallën e braktisën edhe këshilltarët e BDI-së të cilët edhe e thirrën këtë seancë. Debati kaloi me tone të ashpra dhe akuza për ngritje të tensioneve fetare dhe etnike. Pasi mbaroi seanca, jashtë objektit të komunës kishte prezencë të policisë, por nga policia theksuan se prezenca e policëve ka qenë si pjesë e patrullimit të rregullt në atë zonë dhe se askush nuk ka kërkuar intervenim për shkak të seancës në Komunë, raporton Portalb.mk.

Seanca filloi me pyetjet për situatën e krijuar në Kodrën e Dellit pas vendosjes së kryqit.

Këshilltarët nga VMRODPMNE dhe LSDM shfaqën përkrahjen e tyre ndaj vendosjes së kryqit, dhe më pas braktisën sallën.

Ndërkaq në mes këshilltarëve të BDI-së dhe shefit të Inspektoratit Komunal u ngritën tonet si dhe akuzat dhe kundër akuzat edhe për tema jashtë asaj se pse ishte thirrur seanca, pati edhe ofendime.

Akuza dhe kundërakuza pati edhe midis këshilltarëve të BDI-së dhe atyre të Lëvizjes Besa.

Më pas këshilltarët e BDI-së braktisën sallën.

Seanca vijoi edhe pak minuta më pas vetëm me këshilltarët e Lëvizjes Besa dhe mbaroi.

Pas seancës, derisa këshilltarët e BDI-së jepnin deklaratë për shtyp, kryetari i Komunës së Tetovës njoftoi se jashtë objektit të komunës ka policë dhe se kjo sipas tij është skenar.

Pas kësaj këshilltarët e BDI-së lëshuan objektin, pas tyre edhe policët u larguan.

Pyetëm në Sektorin për Punë të Brendshme Tetovë se kush e thirri policinë, por nga policia na thanë askush nuk ka kërkuar intervenim të policisë dhe se prezenca e policëve ka qenë rastësore si pjesë e kontrolleve të rregullta që bëhen afër kafeneve.

Pjesë nga ajo se çfarë ndodhi në seancë, pas seance si dhe deklaratat nga këshilltarët e BDI-së dhe Komunës së Tetovës mund t’i ndiqni në videon më poshtë.

Ndërkaq seancën e plotë mund ta ndiqni në videon më poshtë.

Seanca e jashtëzakonshme e Këshillit Komunal u thirr nga këshilltarët e BDI-së, pasi në Kodrën e Diellit konkretisht në oborrin e manastirit “Shën Naumi i Ohrit” është vendosur një kryq pa leje të Komunës së Tetovës dhe Parkut Kombëtar “Mali Sharr”. Komuna e Tetovës thotë se inspektorati komunal do të merr masat e parapara ligjore për rastin.

Është vendosur kryq në oborrin e Manastirit në Kodrën e Diellit, Komuna e Tetovës: Është pa leje

Në Kodrën e Diellit, konkretisht në oborrin e manastirit “Shën Naumi i Ohrit” është vendosur një kryq pa leje të Komunës së Tetovës dhe Parkut Kombëtar “Mali Sharr”. Komuna e Tetovës thotë se kanë lëshuar inspektoratet komunal në terren dhe pastaj do të merren masa ligjore për rastin, raporton Portalb.mk.

Zëdhënësja e Komunës së Tetovës Besarta Ramadani sqaroi se Komuna nuk ka dhënë leje për ngritjen e kryqit në Kodrën e Diellit, duke shpallur se ai është vendosur pa lejen e duhur për ngritje.

“Inspektorët komunal kanë dalë në terren për të vërtetuar gjendjen faktike dhe për të kryer vlerësimin e situatës, sipas të cilave do të merren masat ligjore për të garantuar zbatimin e plotë të rregullave dhe procedurave. Pra, edhe një herë, Komuna e Tetovës edhe në këtë rast do të respektojë të gjitha procedurat ligjore, siç edhe ka vepruar çdo herë”, tha Ramadani.

Mendim për vendosjen e kryqit nuk është kërkuar as nga Parku Kombëtar “Mali Sharr”, pohoi drejtori i këtij Institucioni Ibraim Deari.

“Nuk jemi kundër objekteve fetare apo ngritjes së kryqit apo minares së caktuar por duhet të respektohen normat ligjore. Deri më tani nuk ka arritur asnjë kërkesë apo shkrim dhe sigurisht se duhet të kërkohet mendim sepse ne japim mendim për objektet që ndërtohen brenda Parkut Nacional”, tha Deari.

Njëri nga anëtarët e këshillit të Manastirit të Kodrës së Diellit për Alsat pranoi se leje nuk është kërkuar ndërsa tha se bëhet fjalë për pajisje urbane për të cilën nuk kërkohet leje.

“Kryqi është ngritur në tokën e kishës dhe kjo është pajisje urbane dhe nuk është as përmendore asgjë. Është ngritur mbrëmë. Parku nacional s’ka lidhje me këtë, përndryshe duhet për çdo objekt leja. Por ka komentime për objektet fetare gjoja se s’jepet, s’bëhet që sipas meje nuk është në rregull. Edhe objektet fetare duhet të trajtohen njëjtë. Nuk e di nuk kemi kërkuar leje nga komuna unë personalisht nuk kam kërkuar”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, Liridon Disha nga këshilltarët komunal të Bashkimit Demokratik për Integrim tha se kanë kërkuar mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Komunal që të sqarohet vendosja e kryqit.

“Ne kemi kërkuar që në këtë seancë të jetë i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Tetovës dhe të na jepen sqarime më të detajuara si u vendos kryqi, si ata që e instaluan kryqin e kaluan atë barrierën e inspektoratit komunal dhe me çfarë leje kanë marrë guximin ta vendosin atë kryq aty. Asnjëherë nuk kemi qenë kundër simboleve fetare, për kundrsazi i kemi inkurajuar ato, mirëpo mendojmë që çdo institucion fetar në vend duhet t’i përshtatet ligjit dhe të funksionojë sipas ligji.Sa më shpejtë ata të thirrin seancë të jashtëzakonshme, ku ne do ti sqarojmë këto punë dhe pasi të sqarohen këto punë dhe do ta dimë se çka dhe si ka ndodhur që ta zgjidhim këtë çështje”, tha Disha.

VMRO DPMNE dega e Tetovës njoftoi se sonte do të mbajë seancë urgjente siç thonë për rastin e presioneve të institucioneve të udhëhequra nga BDI dhe LSDM, me qëllim të shkeljes së Kushtetutës dhe ligjit që garanton lirinë e besimit dhe shprehjen e besimit të maqedonasve në Tetovë.

“Besojmë se prania e paautorizuar dhe e paligjshme e institucioneve të shumta shtetërore në kishën e Shën. Naum Ohridski për Popova Shapka është presion i drejtpërdrejtë që synon të krijojë tensione mes qytetarëve”, thanë nga VMRO-DPMNE.

Ka reaguar edhe udhëheqësi i qendrës së skijmit “Kodra e Diellit”, Adem Avziu. Ai theksoi se vendosja e kryqit dhe simboleve monofetare në një shoqëri multietnike është një çështje e ndjeshme dhe komplekse.

“Ajo që është me rëndësi është të respektojmë dhe të promovojmë diversitetin kulturor dhe besimin fetar të të gjithë qytetarëve. Veçanërisht kur bëhet fjalë për një qendër rekreacioni, sporti dhe turizmi, është shumë me rëndësi që në vend të simboleve fetare, të punojmë të gjithë së bashku për të krijuar një mjedis inkluziv dhe respektues ndaj të gjithë komuniteteve fetare në shoqërinë tonë multietnike. Thënë kjo, nuk jemi dakord me vendosjen e simboleve monofetare në Qendrën e Skijimit “Kodra e Diellit” dhe se ne nuk kemi kompetenca për të njëjtat.”, tha Avziu.

Reagoi edhe Bashkësia Fetare Islame (BFI) e RMV-së, ata thonë se janë të habitur me paraqitjen e kryqit në Kodrën e Diellit në Tetovë, dhe e kuptojnë si akt jo qëllim mirë që ngrit tensione ndërfetare dhe ndërnacionale.

“Objektet fetare janë nevojë e besimtarëve, dhe me ndërtimin e Xhamisë si dhe me ndërtimin e Kishës kah moti u plotësuan nevojat e besimtarëve të krishterë dhe myslimanë, andaj çdo objekt fetar që ngritet për të treguar superioritet apo provokim vërtetë nuk i shërben qëllimit kryesor drejt Zotit, pra kryqi i ngritur në Kodrën e Diellit është një provokim dhe si i tillë në këto momente i paqëlluar dhe ndikon negativisht në marrëdhëniet ndërnjerëzore”, thanë nga BFI.

Ndryshe, për këtë u mbajt edhe seancë e jashtëzakonshme e Këshillit Komunal e cila kaloi me tensione.

@tn.lajmelokale
@tetovanews