Teksa lideri i Hezbollahut të Libanit ishte duke mbajtur fjalimin e tij, Benjamin Netanyahu e paralajmëroi organizatën të mos “luante me zjarrin” apo të testonte limitet e Izraelit.
Kryeministri i Izraelit theksoi se në të kundërt, organizata do të paguante shtrenjtë.
“Unë u them armiqve tanë në veri të mos na testojnë, do ta paguani shtrenjtë,” tha Netanyahu në një deklaratë të shkurtër televizive.
Nga ana tjetër, Netanyahu vlerësoi “ushtarët e guximshëm izraelit”, duke u shprehur se po vrasin terroristë gjatë gjithë kohës në Gaza, në bashkëpunim të ngushtë midis forcave tokësore dhe ajrore të IDF.
Në të njëjtën kohë, ai deklaroi se nuk do të ketë armëpushim në Gaza derisa Hamasi të lirojë pengjet izraelitë.
“Izraeli e refuzon armëpushimin e përkohshëm që nuk përfshin kthimin e pengjeve tona,” tha ai.
Sa i përket vizitës së Blinkenit, lideri izraelit theksoi se e vlerëson mbështetjen e Presidentit Biden dhe SHBA-së.