Ballina Bota Ç’ndodh nëse Perëndimi e braktis Ukrainën?

Ç’ndodh nëse Perëndimi e braktis Ukrainën?

SHBA-ja ka dështuar në ofrimin e ndihmës prej 60 miliardë dollarësh që i ka premtuar Ukrainës dhe BE-ja po ashtu ka rezultuar e paaftë për të përmbushur premtimin e saj prej 50 miliardë eurosh (54.8 miliardë dollarë). Nëse kjo ndihmë nuk konkretizohet së shpejti, Ukraina mund të humbasë përballë Rusisë dhe axhenda revanshiste e Kremlinit nuk ka gjasa të përfundojë këtu.

Nga Anna Husarska dhe Mykola Viknianskiy

Liderët perëndimorë janë të vetëdijshëm për rreziqet e një fitoreje të Rusisë në Ukrainë. “Kur diktatorët dhe autokratët lejohen të veprojnë ashpër në Evropë,” vuri në dukje kohët e fundit presidenti amerikan Joe Biden, “rritet rreziku që Shtetet e Bashkuara të përfshihen drejtpërdrejt”, me “pasojat që jehojnë në mbarë botën”. Në mënyrë të veçantë, vuri në dukje më parë ai, nëse presidenti rus Vladimir Putin sulmon një aleat të NATO-s, “ne do të kemi diçka që nuk e kërkojmë dhe që nuk e kemi sot: trupat amerikane që luftojnë trupat ruse”. Në mënyrë të ngjashme, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg paralajmëroi kohët e fundit se “Nëse Putin fiton në Ukrainë, ekziston rreziku real që agresioni i tij të mos përfundojë atje.”

Le të hamendësojmë pak. SHBA-ja ka dështuar në ofrimin e ndihmës prej 60 miliardë dollarësh që i ka premtuar Ukrainës dhe Bashkimi Evropian gjithashtu ka rezultuar i paaftë për të përmbushur premtimin e tij prej 50 miliardë eurosh (54.8 miliardë dollarë). Për shkak se këto dështime janë të rrënjosura vetëm në politikën e brendshme, asnjë dozë karizme dhe bindjeje nga ana e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, apo kuraje dhe dhe këmbëngulje nga ana e ushtarëve që luftojnë nën gjeneralin Valery Zaluzhny, mund të bëjë shumë ndryshim.

Ta zëmë se kjo ndihmë nuk konkretizohet kurrë. Pa armë dhe municione të mjaftueshme, ushtria e Ukrainës përfundimisht do të duhej të kapitullonte përballë Rusisë. Siç theksoi kohët e fundit komentatori Simon Kuper, Rusia ka kryer tashmë “ekzekutime masive, tredhje, përdhunime, tortura dhe rrëmbime fëmijësh” në Ukrainë, ka arsye të mira për të menduar se një dorëzim i tillë nuk do t’i jepte fund dhunës atje. Forcat e Putinit – të përbëra kryesisht nga ish të dënuar dhe ushtarë të pa stërvitur – mund të sjellin një “drejtësi të tmerrshme të fitimtarit” ndërkohë që pushtojnë të gjithë territorin e Ukrainës.

Pushtimi rus jo domosdoshmërish do të çonte në okupim dhe aneksim total, siç ishte rasti për Krimenë, dhe më vonë për Donetskun, Luhanskun, Zaporizhzhian dhe Khersonin të pushtuara pjesërisht. Putini mund të zgjedhë, në vend të kësaj, të instalojë një regjim kukull dhe të pretendojë se ka përftuar Ukrainën e “çmilitarizuar”, “denazifikuar” dhe “neutrale” që ka kërkuar gjithmonë.

Por a do të përfundonte këtu axhenda revanshiste e Putinit? Ne besojmë se Putini do t’ia vinte më pas syrin vendeve të NATO-s – duke filluar nga Polonia. E shënjestruar shpesh në propagandën ruse, Polonia nuk është vetëm një anëtare e NATO-s dhe BE-së; Votuesit polakë kohët e fundit refuzuan populizmin e krahut të djathtë në favor të një qeverie pro-perëndimore. Kjo e bën atë një objektiv kryesor për një pushtim rus.

Zyrtarisht, mund të mos jenë ushtarë rusë ata që zbresin në Poloni. Putini njihet për ruajtjen e mohimit duke dërguar ushtri dhe trupa pa stema (siç janë “burrat e gjelbër” që pushtuan Krimenë në 2014) dhe duke valëvitur flamuj të sajuar në “republika popullore” të sajuara. Nuk duhet të habitemi nëse ushtarët hyjnë në Poloni të veshur me uniforma ukrainase, me pasaporta ukrainase dhe me flamuj ukrainas.

Putini tashmë mund të jetë duke bërë prova për një skenar të tillë. Ka pasur raportime për të burgosur lufte ukrainas që po përdoren për të luftuar kundër Forcave të Armatosura të Ukrainës. Në një raportim nga RIA-Novosti, një nga 70 të burgosurit e luftës që luftojnë në njësinë “Khmelnitsky”, Kirill Spassky, përshkruan të burgosurit në luftime dhe përmend se nuk kishte asnjë “barrierë” ruse që qëndronte pas tyre me armët e tyre gati për të mos i lejuar ata të dezertonin.

Propaganda e Kremlinit do të shtrembëronte çdo përplasje të dukshme midis Ukrainës (tani një shtet kukull rus, si Bjellorusia) dhe Polonisë, si rezultat i, të themi, mosmarrëveshjeve për grurin, ndërkohë që thekson armiqësitë e vjetra që nga masakra e Wołyn/Volhynia e vitit 1943. Duke qenë se Kremlini tashmë pretendon rregullisht gënjeshtrën se Polonia ëndërron të rimarrë Ukrainën Perëndimore, nuk do të ishte një hap i madh për të që të pretendonte se Ukrainës nuk i mbetej veçse të sulmonte e para në atë që ishte një konflikt i pashmangshëm. (Duke përdorur vetë fjalët e Putinit, në rrugën e qytetit të tij, Lenigradit, ai mësoi se “kur një zënkë është e pashmangshme, duhet të godasësh ti i pari.”)

Kjo narrativë madje mund t’i bindë disa ukrainas. Në fund të fundit, ky skenar fillon kur SHBA-të shkel premtimin e saj për ta mbështetur Ukrainën “për aq kohë sa duhet” dhe BE-ja nuk arrin të ofrojë afërsisht një milion municione artilerie që u zotua në mars 2023. Ukrainasit kanë treguar guxim, vendosmëri dhe patriotizëm në luftën kundër Rusisë, por nëse ndihma perëndimore shteron, ata do të ndihen krejtësisht të tradhtuar.

Një pushtim i rremë ukrainas i Polonisë sigurisht që duhet të vërë në veprim Nenin 5 të Kartës së NATO-s, i cili thotë se një sulm i armatosur kundër një ose më shumë anëtarëve të NATO-s “do të konsiderohet si një sulm kundër të gjithëve”. Por ka arsye për të besuar se NATO-ja mund të zgjedhë të mos veprojë. Tashmë disa komentues po hedhin bazat për një tradhti të tillë. “Neni 5 nuk është i shenjtë”, shkruan Kuper.

Nuk do të ishte hera e parë që Polonia lihet thatë nga ata që kishin premtuar ta mbronin atë. Kur Hitleri sulmoi Poloninë në 1939 dhe e ndau atë me Bashkimin Sovjetik, aleatët e Polonisë, Britania dhe Franca, nuk ndërhynë. Po kështu, si SHBA-ja ashtu edhe Mbretëria e Bashkuar kanë shmangur detyrimin e tyre sipas Memorandumit të Budapestit të vitit 1994 për të garantuar sovranitetin e Ukrainës.

Pra, a po shkojmë drejt Luftës së Tretë Botërore? A do të arrijë Rusia jo vetëm të marrë Ukrainën, por edhe të pushtojë Poloninë (dhe potencialisht vende të tjera), pa pasur nevojë të përballet kurrë me NATO-n? Putini është, në fund të fundit, një mjeshtër për të mohuar gjëra. Rusët, madje, kanë një thënie për mohimin e hapur të përgjegjësisë: ja nie ja (“Unë nuk jam unë”).

Një rezultat i tillë zor se është i largët dhe as i pashmangshëm. SHBA-ja dhe BE-ja mund ta shmangin këtë skenar makth duke i dhënë Ukrainës ndihmën që kanë premtuar. Vetëm duke njohur pasojat e mundshme të braktisjes së Ukrainës do të kuptojmë vërtet rrezikun që kanoset.

Project Syndicate