Michael Polak, avokati i politikanit serb Nikolla Sanduloviç, është ndaluar nga Policia e Serbisë dhe aktualisht po merret në pyetje.
Ky lajm konfirmohet nga vetë Sanduloviç i cili kërkoi reagimin dhe ndërhyrjen e ndërkombëtarëve.
“Urgjente!!!!!!!! Avokati im nga Londra Michael PolakLaw sapo u ndalua nga pjesëtarët e policisë së Vuçiçit që po e marrin në pyetje… A do të bëjë më në fund komuniteti ndërkombëtar diçka për regjimin diktatorial në Serbi?”, shkroi ai në rrjetin social X. Në lidhje me këtë incident ka reaguar deputetja britanike Alicia Kearns e cila u shpreh e shqetësuar.
“Kjo është thellësisht shqetësuese – kam folur me Ministrinë e Jashtme dhe ata janë në dijeni”, tha ajo.
Politikani opozitar serb, Nikolla Sanduloviç, javë më parë ishte arrestuar e torturuar nga BIA serbe, për shkak se e kishte vizituar Prekazin dhe kishte bërë homazhe te varri i Blerina Jasharit. Po ashtu, nga BIA ishte ndaluar edhe vajza e tij për të njëjtën arsye.
Edhe avokati i tij serb ishte marrë në pyetje për shkak të vizitës së tij në Prekaz. Ne reagimin e tij avokati tjetër i Sandulovoiç, Cedomir stojkovic, shkruan:
“Fillimisht në kufi më kanë mbajtur mua, avokatin nga Serbia. Sot ata po ndalojnë një avokat nga Londra – në një përpjekje të dëshpëruar për të penguar cilindo nga jashtë Serbisë që të ndihmojë në realizimin e të drejtave të njeriut dhe luftën për demokraci.”