Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka gërryer kontrollin e Vladimir Putinit mbi pushtetin, ka dëmtuar ushtrinë ruse dhe ka nxitur “pakënaqësi” brenda shtetit. Kështu tha drejtori i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns.
Përmes një eseje të publikuar, Burns, i cili më herët ka qenë ambasador i Shteteve të Bashkuara në Rusi, u ka bërë thirrje ligjvënësve amerikanë që të miratojnë paketën e re me armë dhe pajisje për Ukrainën, duke e cilësuar atë si “investim relativisht modern me përftime të mëdha gjeopolitike për SHBA-në dhe për industrinë amerikane”.
“Lufta e Putinit veçse është një dështim për Rusinë në shumë nivele”, shkroi Burns për revistën Foreign Affairs.
“Qëllimi i tij origjinal për të pushtuar Kievin dhe për të nënshtruar Ukrainën doli të jetë i marrë dhe iluzion. Ushtria e tij ka pësuar dëme të mëdha. Të paktën 315.000 ushtarë rusë janë vrarë apo plagosur, dy e treta e inventarit të tankeve që Rusia kishte para lufte janë shkatërruar dhe programi i Putinit për modernizmin e ushtrisë nuk është zbatuar”.
“Lufta e tij në Ukrainë po gërryen në heshtje pushtetin e tij brenda vendit”, tha ai.
Deklaratat e Burnsit vijnë kur nisja e pushtimit rus të Ukrainës po i afrohet përvjetorit të dytë dhe nuk ka sinjale se lufta është drejt fundit.
Putin, i cili pritet të fitojë zgjedhjet presidenciale të marsit, e ka cilësuar “operacionin e posaçëm ushtarak” – terminologjia që Kremlini përdor për luftën në Ukrainë – si luftë thelbësore për identitetin historik të Rusisë.
Ekonomia ruse është vënë në shërbim të luftës, qindra mijëra persona janë mobilizuar, shumë rusë të tjerë janë larguar nga shteti, qoftë për të shmangur shërbimin ushtarak apo për të protestuar ndaj shtypjes së brendshme.
“Një gjë që kam mësuar është se gjithmonë është gabim të nënvlerësohet fiksimi [i Putinit] ndaj kontrollit të Ukrainës dhe zgjedhjeve të saj”, shkroi Burns.
“Pa atë kontroll, ai beson se është e pamundur që Rusia të bëhet një fuqi e madhe ose që ai të bëhet një lider i madh rus. Ky fiksim tragjik dhe brutal veçse ka turpëruar Rusinë dhe ka ekspozuar dobësitë e saj, nga ekonomia e saj njëdimensionale e deri te fuqia e saj e fryrë ushtarake, e sistemi i saj i korruptuar politik”.
Ukraina, ndërkaq, është përballur me vështirësi në mbajtjen e pozicioneve të saj në fushëbetejë, pasi dështoi kundërofensiva e saj vitin e kaluar. Zyrtarët perëndimorë dhe ukrainas kishin shpresë se ajo kundërofensivë do të kishte sukses, duke u bazuar në trajnimet e ofruara nga NATO-ja, por edhe armët e reja e të fuqishme perëndimore që Kievi ka pranuar.
Si Rusia, ashtu edhe Ukraina tani po tentojnë të marrin pozicione përgjatë vijës së frontit të gjatë prej 1.200 kilometra gjatë dimrit. Disa ekspertë thanë se Rusia do të rimbushë radhët dhe do të jetë në pozitë të tillë që të nisë një ofensivë gjatë verës së këtij viti./rel