Para botimit të një romani të humbur “Shihemi në gusht”, djali i Markezit, Rodrigo García, flet për demencën e babait, të bijën që mbajti të fshehtë dhe ngjarjen kur e goditi në fytyrë Mario Vargas Llosa
Nga Helena de Bertodano, për The Sunday Times
Rodrigo García tregon një histori zbavitëse për të atin, Gabriel García Márquez-in, në shtratin e vdekjes. Një pasdite, disa infermiere po qëndronin te këmbët e krevatit duke diskutuar për kujdesin ndaj tij ndërkohë që García Márquez-i – i cili në atë fazë ishte “i zhytur në demencë prej vitesh” dhe pranë vdekjes – po flinte. “Zgjohet, sheh këto katër gra dhe thotë: ‘Nuk mund t’ju palloj të gjithave!’”.
Rodrigo – një variant më i gjatë e më i bëshëm i të atit, me vetulla të çrregullta, flokë kaçurrelë dhe me sjellje të butë – qesh teksa përshkruan këtë skenë. “Ishte mbresëlënëse që një njeri kaq i humbur në kohë, hapësirë dhe në njohuri kishte ende një sens humori. Nuk ia kishte idenë se ku ishte apo kush ishin ata njerëz, por prapë e dinte se do të ishte për të qeshur”.
Ky prill shenjon përvjetorin e dhjetë të ndarjes nga jeta të García Márquez-it, autorit kolumbian që më 1982 fitoi çmimin “Nobel” në letërsi. Libri i tij më i vlerësuar, Njëqind vjet vetmi, i cili u botua më 1967 dhe ka shitur më shumë se 50 milionë kopje, u përshkrua nga The New York Times si “pjesa e parë letrare që prej Librit të Zanafillës që duhet të lexohet nga e gjithë raca njerëzore”. Romani “i fundit” i papritur nga García Márquez-i, En Agosto nos Vemos,ose Shihemi në gusht, do të botohet javën tjetër për të përkuar me përvjetorin e vdekjes së tij. Një prej 25 librave të shumëpritur të vitit 2024 nga revista Time, është, thotë Rodrigo, “mbi një grua që viziton varrin e së ëmës çdo vit dhe çdo vit gjen një të dashur të ndryshëm”. Rodrigo, 64 vjeç, thotë se ai dhe vëllai i vogël, Gonzalo, 60 vjeç, fillimisht kanë hezituar për botimin pasi babai i tyre, pavarësisht se shkroi dhjetë boca, nuk e ndjeu kurrë se kishte mbaruar. “Unë dhe im vëlla e justifikojmë veten, – shpjegon Rodrigo, – sepse babai ynë thoshte: ‘Kur të kem vdekur, bëni ç’të doni.’ E rilexuam librin dhe menduam se kishte shumë më shumë vlerë se ç’mendonte ai. Teoria ime është se ai humbi aftësinë për ta gjykuar librin”.
I ati mendonte gjithashtu se Njëqind vjet vetmi nuk mund të ekranizohet, por gjithsesi vëllezërit i kanë dhënë dritën jeshile një përshtatjeje në Netflix, me kushtin që të filmohet në spanjisht në Kolumbi. “Një prej problemeve të tim ati ishte se nuk mund të përshtatet në një film treorësh me Al Pacino-n si (personazhi kryesor) kolonel Aureliano Buendía”.
Në vend të kësaj, do të dalë këtë vit me dy sezone, secili me tetë episode, 16 orë televizive. “Është produksion shumë i pasur”, – thotë Rodrigo, i cili gjatë tre dekadave të fundit ka jetuar në Los Angeles dhe është këshillues në produksion. Është i martuar me Adriana-n, mësuese. Kanë dy vajza të rritura, Isabel dhe Ines.
Regjisor i suksesshëm filmash në Hollywood dhe drejtor televizioni më vete, Rodrigo njihet më së shumti për filmin zemërthyes Nine Lives (2005), me aktorë Robin Wright Penn, Glenn Close, Holly Hunter dhe Amanda Seyfried, dhe dramën historike Albert Nobbs (2011), sërish me Close. Pak javë më parë, Netflix nxori Familia (2023), filmin e tij të parë në gjuhën spanjolle,një portretizim prekës i një familjeje meksikane në momente krize, të detyruar të shesin fermën e tyre të ullinjve.
Modest dhe i thjeshtë, Rodrigo thotë që i ati shqetësohej se mos fama e tij do t’i pengonte fëmijët. Në fakt, shumë njerëz në industrinë e filmit nuk e dinë se cilët janë prindërit e tij. “Kam qenë shumë i vendosur për të gjetur rrugën time në botë”, – thotë. – “Dhe i vendosur se të isha i biri i tim ati nuk do të ishte tipari kryesor i identitetit tim dhe nuk do të më paralizonte në asnjë mënyrë”.
I ati, i njohur nga miqtë dhe familja si Gabo, kishte një nivel pop-kulturor fame. “Për shkrimtar, ai ishte si Mick Jagger”, – thotë Rodrigo. – “Shkonte rregullisht te një kioskë gazetash dhe njerëzve u binte të fikët: ‘Oh, Zot, je këtu!’”
Gjithsesi, për një njeri kaq të njohur, dihet fare pak mbi jetën e tij personale, të cilën e ruante me zell. “Çdokush, – i tha një ditë García Márquez-i të birit, – ka tri jetë: publiken, personalen dhe të fshehtën”. Vetëm pasi vdiq u bë e mundur të bëheshin bashkë disa pjesë nga jeta e tij jashtë syrit të publikut.
Pak vite më parë, u përhap një pëshpërimë se García Márquez-i kishte një fëmijë të fshehtë. Më 2021, Rodrigo la të kuptohet thashethemi kur përshkroi vajtuesit në varrimin e të atit te Lamtumirë Gabo dhe Mercedes, një kujtim kushtuar prindërve të tij: “Për një çast më vjen në mend se ndoshta dikush nga jeta e tij e fshehtë mund të ishte mes këtyre njerëzve.”
Ulur në një kafene italiane pranë shtëpisë së tij në Santa Monica, duke pirë matcha me qumësht tërshëre, Rodrigo shpjegon se çfarë donte të thoshte. “Kjo ishte një shkelje e fshehtë syri për ata që e dinin”. I referohet faktit se babai i tij kishte një vajzë, Indira. Në fillimet e viteve nëntëdhjetë një grua e re meksikane e quajtur Susana Cato mori pjesë te një workshop për skenarë në Kuba ku jepte mësim García Márquez-i. Gazetare nga revista Cambio në Meksikë, e intervistoi dhe filluan një marrëdhënie. Shpejt, Cato lindi bijën e tyre, Indira, tani në të tridhjetat, e cila mbajti mbiemrin e së ëmës. “Me aq sa di, e njihte që fëmijë dhe e vizitonte”, – tha Rodrigo. – “Por, teksa humbi kujtesën, jam i sigurt se e pati të vështirë të ruante lidhjet me të”.
Në të vërtetë, në dy vitet e tij të fundit nuk njihte thuajse askënd. “E njihte mamanë time (Mercedes-in) si personin kryesor, alter egon, por nuk mendoj se ia dinte emrin. Por mua dhe vëllain nuk na njihte. Njëherë, mbaj mend se po ktheheshim nga një restorant për te shtëpia dhe ai ishte pas me një prej vajzave të mia”, – thotë Rodrigo. – “Dhe mund ta dalloje se po e kapte ankthi se ishte një makinë plot me të panjohur”.
Rodrigo mban mend me detaje ditën kur babai i tha atij dhe Gonzalo-s për gjysmëmotrën e tyre – pak para se Indira të mbushte 18 vjeç. Është e paqartë nëse mamaja e dinte për ekzistencën e saj. “Nuk e dimë nëse e dinte”, – thotë Rodrigo. Mendimi i tij i parë ishte për vetë Indira-n. “Bashkë me vëllain e kontaktuam, sepse ishim të shqetësuar se mos mendonte se e kishim shpërfillur gjithë jetën e saj”. Që nga ajo kohë janë takuar shumë herë. “Është shumë e këndshme. Unë dhe vëllai i kemi dhënë disa prej sendeve personale të babait, edhe pse kurrë nuk ka kërkuar gjë prej gjëje. Kjo mjafton të të bëjë ta kesh shumë përzemër”.
Kur doli lajmi për atësinë e saj më 2022, Indira Cato tashmë e kishte krijuar identitetin e vet si shkrimtare dhe producente e suksesshme dokumentarësh në Meksikë. I pari, All of Me (2014) – për gratë të cilat ushqenin emigrantët e kapur pas La Bestia, “treni i vdekjes” që udhëton nga Amerika Qendrore drejt kufirit të SHBA-së – fitoi çmim në Meksikë.
Me sa di Rodrigo, i ati nuk ka fëmijë të tjerë. “Jam i sigurt se do të ishte shfaqur deri tani, duke kërkuar diçka”, – thotë me shaka.
Disa sekrete García Márquez-i i ka marrë me vete në varr me sukses, si ai që e shtyu njërin prej miqve të tij më të ngushtë, romancierin peruan Mario Vargas Llosa, ta godiste në fytyrë më 1976.
García Márquez-i e kishte takuar mikun e tij të vjetër në një premierë filmi në Mexico City. I kënaqur që e pa, i thirri “Mario!” dhe zgjati krahun për ta përqafuar. Vargas Llosa i hodhi një vështrim dhe e goditi në sy. Dhe kështu filloi një prej sherreve më të mëdha në historinë e letërsisë.
“Kam dëgjuar variante”, – thotë Rodrigo. – “Njëri ishte se Mario kishte lënë gruan e tij, Patricia-n, për dikë tjetër. Prindërit e mi kishin mbajtur anën e Patricia-s. Dhe nëse kishte ngacmuar babai Patricia-n, nuk e di. Por, të them të drejtën, janë të gjitha thashetheme”.
Dy shkrimtarët nuk folën më kurrë. “Nuk e pyeta asnjëherë pasi nuk ishte temë e këndshme”, – thotë Rodrigo, i cili i kujton mirë vitet kur i ati dhe Vargas Llosa ishin të afërt. “Jetonin një lagje larg nesh në Barcelonë. Shkonim në dreka të mëdha të dielave, stil shumë spanjoll. Fëmijët e tij ishin më të rinj se ne dhe njërit prej tyre i është vënë emri sipas nesh: Gabriel Rodrigo Gonzalo (emrat e parë të të tre burrave García Márquez)”.
Megjithëse miq të mirë, ishin shkrimtarë shumë të ndryshëm dhe kishin debate të gjalla për artet dhe letërsinë. “Mario ishte shumë artist dhe intelektual”, – thotë Rodrigo. – “Im atë ishte thjesht artist; lexonte vetëm gjërat që pëlqente. Për shembull, nuk e pëlqeu kurrë Proust-in dhe thoshte se Remembrance of Things Past ishte gjëja më e mërzitshme e më franceze që kishte lexuar”.
Ishte edhe shpërfillës ndaj veprave të tij, sidomos Njëqind vjet vetmi. “Arriti ta urrente atë libër, sepse për vite me radhë ishte Njëqind vjet vetmi kështu, Njëqind vjet vetmi ashtu. Dhe ishte vepër e vështirë për ta ndjekur. I referohej si la pinche novela – ‘romani i ndyrë’. Por suksesi i Dashuri në kohërat e kolerës (historia e tij e dashurisë dhe plakjes, që u botua më 1985, tre vjet pasi fitoi ‘Nobel’-in) e pajtoi me Njëqind vjet vetmi… Mendoj se nga fundi e fali dhe ca më shumë”.
Çfarëdo të kishte ndodhur, Rodrigo mendon se babai i tij dhe Vargas Llosa donin të pajtoheshin. “Të mos ishte për gratë, do të ishin pajtuar”, – thotë. – “Po spekuloj, por në një pikë në vitet 2000 po i dërgonin sinjale me tym njëri-tjetrit. Por mendoj se dy gratë i shuan”. Pastaj shton: “Im atë dhe Mario sigurisht e dinin (çfarë kishte ndodhur vërtet). Ose njëri prej tyre e dinte. Ose Mario mendoi se kishte ndodhur diçka që, në fakt, nuk kishte ndodhur.”
E intervistova një herë Vargas Llosa-n dhe e pyeta drejtpërdrejt pse e kishte goditur mikun e tij. “Nuk flas kurrë për këtë”, – tha. Tani, 87 vjeç, botoi atë që tha se do të ishte romani i tij i fundit, I Give You My Silence,vitin e kaluar.
Pak javë më vonë u takova sërish me Rodrigo-n, kësaj here në shtëpinë e tij, një shtëpi e bukur spanjolle me stil kolonial në Santa Monica. E shoqja, Adriana, ma bën me dorë me gëzim nga kopshti, ku po krasit një pemë, dhe Rodrigo më tregon shtëpinë e mysafirëve ku qëndronin prindërit e tij gjatë vizitave të shpeshta. Fotot e familjes e tregojnë babain e tij simpatik me çizme firmato. “Donte të ishte më i gjatë, kështu që vishte gjithnjë këto çizmet italiane”. Në një raft librash është një version lodër i García Márquez-it. “E bënte për të qeshur”, – tha Rodrigo, teksa e uli poshtë. – “Është nga gjërat që shesin në treg në Kolumbi”. Një ari prej qiriri mban portretin e tij si një engjëll me krahë, nën fjalët “Shën Gabriel”, të cilin një prej vajzave të Rodrigo-s e kishte gjetur në Etsy, një tregues i sa thellë nderohet García Márquez-i, sidomos në Kolumbi, ku u lind, dhe në Meksikë, të cilën e bëri shtëpinë e tij.
I lindur më 1927 në qytetin e vogël të Aracataca-s, pranë bregut karaibian të Kolumbisë, García Márquez-i u la prej prindërve të tij nën kujdesin e gjyshërve nga ana e mamasë për tetë vitet e para të jetës – pasi i ati, një punonjës poste dhe operator telegrafik, mori një punë më të mirë në qytetin e Barranquilla-s. Autori i përshkruan shpesh këto vite si më të lumturat e jetës së tij dhe ishte ndikuar fort edhe nga gjyshja, e cila ishte tejet supersticioze dhe besonte në fantazma e mrekulli, edhe nga gjyshi, i cili i dhuronte historitë e bëmave të tij heroike në Luftën Kolumbiane të Një Mijë Ditëve.
Më vonë studioi juridik në Bogota, ku edhe filloi karrierën e tij si gazetar gjatë La Violencia, luftës civile mizore dhjetëvjeçare që zgjati nga 1948 deri më 1958. Ai e ndërthuri këtë me shkrimin e poezive dhe historive të shkurtra, dhe rrjedhimisht botoi Gjethurina më 1955, një novelë ku prezantohet qyteti i trilluar i Macondo-s – bazuar në Aracataca, që më vonë formoi sfondin e Njëqind vjet vetmi.
Këtu ai eksperimentoi me disa prej teknikave, si manipulimin e kohës, që janë thelbi i realizmit magjik – kombinimi i rrëfimeve realiste me fantazinë, një stil që përcaktoi veprën e tij. Por ai nuk e pëlqente aspak etiketimin realizëm magjik, sepse i dukej se po përshkruante jetën siç ishte në të vërtetë në një qytet të vogël në Kolumbi. “Shumica e tyre kanë ndodhur vërtet”, – thotë Rodrigo.
Në gishtin e vogël të dorës së djathtë Rodrigo mban dy unaza të thjeshta argjendi. I heq dhe m’i zgjat që të lexoj mbishkrimin brenda: janë unazat e martesës të prindërve të tij, gdhendur me një shkrim të vogël emrat e tyre, Gabriel García and Mercedes Barcha, dhe data e lidhjes së kurorës: 21 mars 1958. U takuan për herë të parë fëmijë në vitet `30 në Sucre, qytet në Kolumbinë Veriore ku babai i Barcha-s punonte si farmacist. García e diti menjëherë se do të donte të martohej me të një ditë. “Im atë thoshte gjithmonë se ajo ishte personi më magjepsës që kishte njohur ndonjëherë”, – thotë Rodrigo.
Rodrigo u lind më 1959 në Bogota; dy vite më vonë, i tronditur nga klima politike në Kolumbi, García Márquez-i u shpërngul me familjen e tij në Mexico City, ku lindi Gonzalo më 1964. Pasi kishte kritikuar korrupsionin në qeverinë kolumbiane, García Márquez-i ishte bërë një figurë kontravere në vend dhe e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij të mbetur në mërgim të vetimponuar.
Rodrigo e kujton të atin duke punuar thuajse në gjendje “transi” me Njëqind vjet vetmi – historinë e shumë brezave të familjes Buendía – në Meksikë. Ndonjëherë mamaja e dërgonte atë dhe të vëllain në studion e të atit me një mesazh. Shihte përtej tyre, nuk regjistronte asgjë, “humbur në një labirint rrëfimi”.
Kur ishte fëmijë, Rodrigo nuk e kuptonte sa pak para kishin prindërit e tij. “Kur e kujtoj, shtëpia jonë ishte fare bosh. Kishim nja dy dhoma pa mobilie. Mbaj mend një krishtlindje kur zbrita poshtë dhe kishte jashtëzakonisht shumë dhurata. E pyeta babain ca vite më vonë për këtë dhe më tha: ‘Miqtë e dinin se ishim në vështirësi dhe dërguan dhurata’”.
Ndërkohë që i ati shkruante, e ëma rregullonte rreshtat e borxheve nga kasapi dhe merrej me qiradhënësin: “Prindërit e mi nuk kishin paguar qira për njëmbëdhjetë muaj.” Kur mbaroi dorëshkrimin, mamaja vuri peng tharësen e flokëve që të paguanin postën. “Fjalët e saj ishin: ‘Bën mirë të jetë i mirë’”.
Sapo u botua, libri arriti një sukses të menjëhershëm dhe u përkthye në anglisht më 1970. Familja u shpërngul në Barcelona për disa vite, ku prindërit e tyre ishin “jashtëzakonisht miqësorë”, thotë Rodrigo, me një rreth të madh miqsh, duke përfshirë shkrimtarin meksikan Carlos Fuentes dhe regjisorin spanjoll Luis Buñuel. “Buñuel ishte si një xhaxha spanjoll. Por ti e di se si është kur takon këta artistë të mëdhenj. Nuk rrjedh poezi nga to. Thjesht janë të shqetësuar se mos supa është e nxehtë”.
Si familje, ishin veçanërisht të afërt. “Pjesa tjetër e familjes nga të dyja anët ishte në Kolumbi, kështu që të katërt ishim si njësi e vetme, klubi katërsh”. Rodrigo shkoi në shkollë angleze edhe në Mexico City edhe në Barcelona, pastaj studioi histori në Harvard. Prindërit e tij, thotë, ishin antiteza e prindërve helikopter. “Kanë ardhur te shkolla ime vetëm dy herë gjatë gjithë jetës sime”. Por hanim drekë familjarisht çdo ditë të javës. “Im atë gjithmonë kërkonte që të vinim në shtëpi për drekë, stil-latin në tre pasdite pas shkolle, për të na marrë në pyetje: ‘Si ju shkon jeta, ç’bëhet?’”
Në fund të viteve shtatëdhjetë filluan të kalonin periudha të gjata kohe në Kuba, ku García Márquez-i ndërtoi një miqësi të ngushtë me Fidel Castro-n, i cili ndonjëherë vinte të rrinte. “Ishte pak mister se ku flinte Castro”, – thotë Rodrigo. – “Truproja e tij telefononte tim atë për ta pyetur nëse do të ishte në shtëpi atë mbrëmje. Im atë do t’i përgjigjej po dhe ata thoshin: ‘Mund të keni një vizitor.’ Dhe ‘mund’ do të thoshte ‘mund’. Dhe mund të nënkuptonte 10:30 të darkës apo 1:30 të mëngjesit”.
Në vitet tetëdhjetë, babai i tij ishte aq i famshëm sa, siç thotë Rodrigo, “që të binte telefoni në shtëpi, duhej vetëm të ulje receptorin”. Kujton një dalje me prindërit në Nju-Jork ca vite më vonë. “Dy gra argjentinase në mesomoshë bërtitën dhe iu hodhën sipër dhe e mbuluan me të puthura. Gati e lanë shtatzënë. Kur vazhduam, mamaja ime tha: ‘Ç’dreqin bëhet?! Unë jam mu këtu dhe ato gra puthin tim shoq!’”
Po babai juaj, e pyes, ç’mendonte për këtë? “Oh, të lutem”. Rodrigo nënqesh. “Gra që e puthin?” Mbledh shpatullat dhe ngre pëllëmbët, duke treguar se babai i tij nuk kishte asnjë problem me vëmendjen femërore.
“Pamja nga të tetëdhjetat është e mahnitshme, vërtet”, – García Márquez-i i tha njëherë të birit. – “E fundi po afron”. “A ke frikë?” – e pyeti Rodrigo. “Më trishton thellësisht”, – iu përgjigj i ati. Ai kishte filluar të humbiste mendjen në atë kohë dhe ishte i vetëdijshëm deri në dhembje për këtë. Njëherë, thotë Rodrigo, pastruesja e gjeti në kopsht dhe e pyeti se ç’po bënte. “Po qaj”, – iu përgjigj. – “Nuk e kupton se koka ime është mut tani?” Rilexonte librat e tij të vjetër pa e ditur se kush ishte autori. “Më pas shihte fotografinë e vet në kopertinë dhe thoshte: ‘Oh, qenka libri im? Bëj mirë ta filloj sërish.’”
I ati nuk merrte kurrë pjesë në varrime, thoshte se nuk donte t’i varroste miqtë e tij. Vdiq më 2014, në moshën 87-vjeçare, nga pneumonia. Rodrigo më tregon një foto të të atit mbuluar me një çarçaf para djegies, me trëndafila të verdhë – lulet që adhuronte babai i tij – vendosur sipër. “Mbaj mend që e pashë tim atë ca minuta pasi kishte vdekur dhe mendova: ‘Nuk më besohet se jeta mbaron.’ Është mendim kaq torollak”.
Ceremonia që u mbajt në Mexico City pas vdekjes së tij ishte thuajse ndodhi shtetërore. Mijëra njerëz u rreshtuan pas urnës që mbante hirin e tij. Presidenti kolumbian, Juan Manuel Santos, e nderoi si “kolumbiani më i madh që ka jetuar ndonjëherë”, ndërsa presidenti meksikan, Enrique Peña Nieto, e tërboi mamanë e Rodrigo-s duke iu referuar si “e veja”. “No soy la viuda”, – u tha të bijve më vonë. “Yo soy yo”. (“Nuk jam e veja. Jam unë”.)
Vdiq gjashtë vjet më vonë, më 2020, në kulmin e Covid-it. Hera e fundit që e pa Rodrigo ishte përmes një ekrani telefoni të plasaritur. “Vdekja e prindit të dytë, – shkruan në kujtimet e tij, – është si të shohësh një natë përmes teleskopit dhe të mos e gjesh më një planet që ka qenë gjithmonë aty”.
Tani që janë larguar të dy prindërit e tij, Rodrigo dëshiron t’i kishte pyetur më shumë “për germat e vogla në jetën e tyre”, sidomos të fëmijërive të tyre. “Mendoj për vendet e largëta në Kolumbi nga kanë ardhur. Dhe si arritën të përshtaten me një botë me famë dhe fat. Është një lojë ku zgjedh që të darkosh me çdonjërën prej figurave historike. Nëse do të mund të zgjidhja, do të darkoja me prindërit e mi në të dyzetat e tyre. As nuk mund të mendoj për një person të tretë”.
Sa për sekretet që babai i tij mori me vete në varr, Rodrio tregon një histori të jashtëzakonshme kur babai i tij pagoi të ëmën që t’i kthente gjithë letrat që i kishte shkruar para se të martoheshin. “Ia bleu për 500 pesos kolumbiane në atë kohë”, – thotë. Më e habitshmja, kjo ishte në vitet pesëdhjetë, shumë përpara se të bëhej i famshëm. Pra, pse e bëri? “Hajde merre vesh”, – thotë Rodrigo. – “Kush do t’ia dijë? Por them se ai. Jetojmë në një epokë ku çdo gjë është publike. Dhe mendoj se është në rregull që disa gjëra të mos dihen kurrë”.
Përktheu: Enxhi Hudhri