Ballina Sport Policia bastis zyrat e Federatës Spanjolle të Futbollit, 7 të arrestuar, edhe...

Policia bastis zyrat e Federatës Spanjolle të Futbollit, 7 të arrestuar, edhe presidenti nën hetim

Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) është në kaos të plotë dhe sot ka qenë akti i radhës i ngjarjeve të shëmtuara që tregojnë se institucioni i futbollit në këtë vend ka qenë shumë problematik sa i përket drejtimit.

Sikur të mos mjaftonte shkarkimi për skandalin e puthjes të presidentit Luis Rubiales, tashmë ish-drejtuesit dhe ata që janë aktualisht në RFEF, janë nën hetim nga policia për korrupsion dhe pastrim parash.

Policia ka bastisur sot zyrat e institucionit që  drejton futbollin në Spanjë duke sekuestruar dokumente të shumta, ashtu siç ka bërë në shtëpitë e disa prej drejtuesve më të lart të këtij institucioni, të cilët ishin në detyrë edhe në kohën kur Luis Rubiales ishte president.

Mediat spanjolle bëjnë të ditur për 7 persona të cilët janë arrestuar, ndërsa ka të tjerë që janë në kërkim. Vetë Luis Rubiales duhet të paraqitet para organeve të drejtësisë, por për momentin ai nuk gjendet në Spanjë, por në Republikën Domenikane ku ka tashmë rezidencën e tij.

Nën hetim është çështja e kontratës që RFEF firmosi më Arabinë Saudite për zhvillimin atje të Superkupës, kundrejt një pagese prej 40 milionë eurosh në vit.

Mes të arrestuarve bëhet e ditur se është këshilltari ligjor, Tomas Gonzalez Kueto, si dhe ish-arbitri e tashmë drejtori ligjor i Federatës, Pedro Gonzalez Segura, të cilët ishin ata që kishin firmosur marrëveshjet me arabët.

Kontrata në fjalë u lidh me ndërmjetësimin e kompanisë “Kosmos” e cila është në pronësi të Zherard Pike. Kjo e fundit përfitoi 24 milionë euro për punën që kreu gjatë marrëveshjes e cila solli në total 240 milionë euro në arkat e Federatës Spanjolle.

Paralelisht, po hetohen edhe marrëveshjet me krahinën e Andaluzisë, për të luajtur rregullisht në Sevilje ndeshjet e kombëtareve të moshave.

Nuk dihet ende lista e plotë e të akuzuarve dhe të gjitha akuzat, pasi gjykata që ka lëshuar urdhrin për bastisjen, ka vendosur që pr momentin aktet e saj të jenë të mbrojtura nga sekreti hetimor.

@tn.lajmelokale
@tetovanews