Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës, nën dyshimin për spiunazh me Agjencinë e Inteligjencës Serbe (BIA).
Shabani dhe Qerimi janë arrestuar sot në një aksion të Drejtorisë për Krime të Rënda të Policisë së Kosovës, aksion për të cilin raportoi sot ekskluzivisht Paparaci.
Aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës e ka konfirmuar edhe Prokuroria Speciale.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “spiunazhi”, nga neni 124 të KPRK-së”, tha Prokuroria, raporton Paparaci.
Ata pretendohet se për shumë vite kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe.
Njëri prej të arrestuarve ka qenë zyrtar doganor gjatë viteve 90-99, derisa pasluftës ka vazhduar të ushtrojë funksionin e doganierit gjatë periudhës së administrimit të UNMIK-ut në Kosovë.
Kapja e spiunëve të BIA, Dogana del me sqarim
Dogana e Kosovës ka reaguar pas arrestimit të dy personave sot në Ferizaj nën dyshimin për spiunim për BIA-n serbe, duke thënë se personi Bedri Shabani është pushuar nga pozita e tij në doganë 20 vjet më parë, konkretisht në fillim të vitit 2004.
Shkarkimi i tij ka ardhur për shkak të shkeljeve të Kodit të Mirësjelljes së Doganës së Kosovës, lidhur me komunikimet e paautorizuara me mjetet e informimit masiv. Qe nga shkarkimi i tij, personi në fjalë nuk ka pasur asnjë lidhje me Doganën e Kosovës, thuhet në sqarim.
Dogana e Kosovës përgëzon autoritetet e Kosovës për zbatimin e ligjit për përpjekjet e tyre në adresimin e çështjeve që kanë të bëjnë me sigurinë.
“Ne punojmë ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë për të mbështetur sigurinë kombëtare, në përputhje me misionin tonë. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në respektimin e standardeve më të larta të integritetit dhe transparencës në radhët tona”, përfundon komunikata për media.
Prokuroria Speciale e Kosovës njofton se pas zhvillimit të hetimeve disamujore, sot në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe AKI-në, ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi kosovare, të dyshuar për kryerjen e veprës penale spiunimi.
Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi janë personat e arrestuar sot nën dyshimin për spiunim për agjencinë e inteligjencës serbe BIA.
KosovaPress mëson se arrestimi i tyre është bërë i mundur pas zbulimit nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës.
Prokuroria ndaj të dyshuarve ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
Policia ka vazhduar me bastisjen e pronave të dy të dyshuarve, të cilët dyshohet se për shumë vite kanë bashkëpunuar me strukturat e inteligjencës serbe.
Njëri prej të arrestuarve, Bedri Shabani, ka qenë zyrtar doganor gjatë viteve 90-99, derisa pasluftës ka vazhduar të ushtrojë funksionin e doganierit gjatë periudhës së administrimit të UNMIK-ut në Kosovë.