Taksa e vendosur për Rrugën e Kombit nga qeveria shqiptare ka filluar të kundërshtohet nga qytetarët dhe bizneset që kalojnë në këtë rrugë. Kështu, ditën e sotme tregtarët e Kosovës dhe Shqipërisë kanë nisur një protestë në pikën e kalimit kufitar mes dy vendeve, duke e kundërshtuar këtë taksë.
Ata i parkuan kamionët me mbishkrime sipër në të dy anët e doganës në shenjë proteste, duke krijuar një varg prej disa km. Mësohet se janë rreth 150 kamionë nga Kosova që po protestojnë në Morinë, duke vendosur pankarta në kamionët e tyre.
“Ruaje zot Shqipërinë prej shqiptarëve”, “S’po hjekim kufi, po qesim kufi” – janë disa nga pankartat e vendosura në kamion. Në protestë janë importues të kripës, hekurit, tullave dhe mallra ushqimore .
Tregtarët e ardhur nga Kosova thanë se do kthehen bosh në vendet e punës, duke bojkotuar ngarkesat me mallra në Shqipëri. Edhe biznese të tjera të Kosovës kanë paralajmëruar ndërprerjen e shkëmbimeve tregtare me Shqipërinë për shkak të taksimit në “Rrugën e Kombit”. Ndërkohë, në këtë pikë kalimi kufitar ka një prezencë të shtuar të forcave policore.
Po ashtu, më herët rreth 50 biznese të ndërtimit nga Kosova kanë vendosur që ta bojkotojnë “Rrugën e Kombit” pas tarifave për kalimin e autostradës të vendosura nga Qeveria Shqiptare.
Këto biznese thonë që vetëm material ndërtimor importojnë nga Shqipëria, rreth 35 milionë Euro në vit dhe Rrugën e kombit e kalojnë në vit rreth 21 mijë makina. Pas vendosjes së taksës, ku taksa për makineri të rënda është 46 Euro vajtje-ardhje, kompanitë në vit detyrohen të paguajnë rreth 1 milionë Euro më shumë.
Këtë vendim, këto kompani e quajnë si plaçkë nga Qeveria Shqiptare, ku ankesa kanë edhe për skanerin e vendosur për importuesit që përdorin si transit portin e Durrësit, për të cilin thonë që paguajnë 23 Euro, pa e përdorur fare.
Tarifat sipas kategorive dhe çmimet për kalimin në Rrugën e Kombit:
Klasa 1/ Motorët – 2.5 Euro
Klasa 2/ Veturat – 5 Euro
Klasa 3/ Autobus & kamionçina – 11.2 Euro
Klasa 4/ Kamion i mesëm – 16.2 Euro
Klasa 5/ Kamion i rëndë – 22.5 Euro.