“Një funksionarit të lartë nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) i ka rënë telefoni në veturën që sipas akuzës fillestare të Prokurorisë, me atë veturë (Opel Omega) kanë lëvizur të akuzuarit për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë”. Ky pretendim është bërë nga një familjarë i të vrarëve në Liqenin e Smillkovës, duke kërkuar nga trupi gjykues që të merret për bazë edhe ky fakt.
Familjarët kërkojnë që të zbulohet identiteti i agjentit, ndërkaq deklarojnë se telefoni tani gjendet në Prokurorinë Speciale. Megjithatë deri tani nuk ka asgjë lidhur me këtë pretendim të bërë që mund të nxjerrë detaje të reja për vrasjen e pesëfishtë në Smilkovë.
“Telefoni gjendet në Prokurorinë Speciale, unë e kam fotografinë e agjentit të cilit i ka rënë telefoni. Të zbulohet se kush është dhe pse e fshihet emri i agjentit”, deklaroi familjarë gjatë seancës së sotme gjyqësore.
Avokati i të akuzuarve për rastin “Monstra”, Sasho Dukovski deklaroi se nuk ka njohuri se për çfarë telefoni bëhet fjalë.
“Nuk jam i sigurt për diçka të tillë, që nuk do të thotë se s’është ashtu. T’ia lëmë procedurës gjyqësore ta konstatojë të vërtetën”, deklaroi Dukovski.
Familjarët e të vrarëve sot gjithashtu kërkuan që të deklasifkohen të gjitha materialet të cilat janë të lidhur me këtë rast dhe të cilat trajtohen si fshehtësi shtetërore.
“Kërkojmë të deklasifikohen të gjitha materialet të cilat trajtohen si fshehtësi shtetërore, mos janë ato më të rëndësishëm se fëmijët tanë që kanë vdekur. E kërkojmë telefonin e fëmijës që të na kthehet urgjentisht. E ka mbyllur telefonin? Shumë ka rëndësi për ne ajo që të na kthehet. Nuk do të jemi të gjallë derisa të mbarojë gjykimi”, thanë familjarët.
Ata gjithashtu kërkojnë që të shihet automjeti kontestues, me të cilin sipas akuzës fillestare të Prokurorisë Themelore Publike kanë lëvizur të akuzuarit. Ky automjet asnjëherë nuk u lejua që të shikohet nga afër, por vetëm nëpërmjet fotografive. Rasti Monstra është rikthyer nga fillimi në duart e Prokurorisë Speciale. (INA)