Shërbimet e pagesave elektronike përmes kartave “Visa” duket se është rikthyer “pranë normalitetit” sërish, pas një defekti në sistem që bllokoi klientë të shumtë anembanë Europës një ditë më parë të bënin blerje.
Kompania kërkoi ndjesë, e tha se nuk ka asnjë arsye të dyshohet se defekti në pajisjet elektronike të kompanisë vjen si pasojë e një “qasjeje të paautorizuar, apo sulmi kibernetik”, transmetont ch.
Deklarata e kompanisë “Visa” erdhi 5 orë pasi kishte pranuar problemin që preku një pjesë të mirë të Europës, ndërsa tërheqjet përmes “ATM”-ve (bankomateve) apo pagesat përmes kartave “Mastercard” dhe “American Express” funksiononin normal.
Tashmë zotëruesit e një karte krediti apo debiti “Visa” mund të vazhdojnë t’i përdorin ato. Defekti duket se nisi rreth orës 14:30 të së premtes, duke shkaktuar irritimin e shumë klientëve nëpër supermarkete, pika karburantesh, apo në shërbime të tjera.
“Më herët gjatë ditës së sotme (e premte), Visa pësoi një defekt në sistem që preku klientët në mbarë Europën. Objektivi ynë është të sigurohemi që kartat Visa të funksionojnë në mënyrë të besueshme 24 orë të ditës, në 365 ditë të vitit. Sot nuk mundëm ta përmbushnim këtë objektiv për pak orë, ndaj kërkojmë falje ndaj klientëve tanë. Tashmë kartëmbajtësit mund t’i përdorin normalisht. Problemi duket të jetë si pasojë e një defekti në pajisje, ndaj nuk kemi arsye të besojmë se kjo që ndodhi ka lidhje me ndonjë qasje të paautorizuar”, njoftoi pasditen e së premtes kompania.
Ekspertë të ndryshëm këshillojnë tashmë klientët, ata të prekurit apo edhe të tjerë, që në çdo rast të mund të sigurojnë edhe opsione alternative, ndërkohë që i paralajmëruan ata të jenë tejet të kujdesshëm nga telefonata apo “e-mail”-e që mund t’iu dërgohen nga piratë kompjuterikë në lidhje me këtë defekt sistemi.