Universiteti Nënë Tereza nuk përballet vetëm me probleme dhe vonesa rreth projektit themelor për objektin e posaçëm të tij. Alsat mëson se Aziz Pollozhani nuk është zgjedhur në krye të UNT-së me konkurs publik, ashtu siç parashikon ligji, por vetëm me konkurs të brendshëm në kuadër të universitetit. Burimet tona thonë se shpallja publike për konkursin për Rektor në UNT të mbajtur javë më parë, është ngjitur vetëm në muret e këtij institucioni, por nuk është publikuar në gazetë, siç parashikon ligji. Pollozhani në postin e Rektorit në këtë universitet, vjen dy vite pasi ka mbajtur postin e ushtruesit të detyrës rektor. Ligji për arsimin e lartë, në asnjë rast nuk parashikon që mandati i ushtruesit të detyrës Rektor, të zgjasë më shumë se gjashtë muaj. Për më shumë se dy vite në këtë universitet, me ushtrues detyre janë të gjithë dekanatet e fakulteteve. Ligji që parashikon mandate gjashtë mujor për ushtruesit e detyrës vlen njëjtë edhe për këtë post, por megjithatë nuk është respektuar.
Ligji për arsim të lartë
“…menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit me të cilin themelohet njësia e arsimit të lartë, rektori emëron ushtrues detyre dekan, i cili e ushtron detyrën e shumta gjashtë muaj që nga dita e emërimit.”
Nga Universiteti Nënë Tereza thonë se përzgjedhja e Pollozhanit në postin e rektorit ka qenë në pajtim me dispozitat ligjore, kurse konfirmojnë informacionet për u.d. dekanët.
Universiteti “Nënë Tereza”
E gjithë procedura për zgjedhjen e rektorit ka qenë në përputhje me dispozitat ligjore që trajtojnë zgjedhjen e rektorit.
Të gjithë dekanët, për shkak të aprovimit të vonshëm të statutit, janë ushtrues detyre. Rektorati është në fazën shqyrtuese të procedurës në përputhje me Ligjin e ri të arsimit të lartë, për të bërë përzgjedhjen në bazë të tij.
Për të plotësuar kushtet për postin e Rektorit, Pollozhani dy vite më parë, “brenda natës”, kaloi nga profesor inordinar në profesor ordinar. Që përzgjedhja e tij si profesor ordinar është bërë vetëm nga Komisioni amë i Universitetit, e pranojnë edhe nga UNT-ja. Një gjë e tillë, nuk parashihet në dispozitat ligjore.
Universiteti “Nënë Tereza”
“Komisioni amë në përputhje me dispozitat ligjore dhe mbi bazën e recensionit përkatës, ka bërë zgjedhjen e rektorit në profesor ordinar.”
UNT-në edhe në të kaluarën por edhe tani e shoqërojnë një sërë parregullësishë. Një ditë më parë Alsat njoftoi se projekti themelor për objektin e ri të UNT-së, i cili duhet të ishte gati në maj ka ngecur dhe do të shoqërohet edhe me vonesa shtesë. Për çdo ditë vonesë, universiteti duhet të paguaj dënim. I gjithë kompleksi universitar pritet të kushtojë rreth 25 milion euro, ndërsa vetëm projekti themelor kushton sa 3% e shumës së përgjithshme. Për projektin themelorë marrëveshja është nënshkruar pa hapur tender.
Fatlume Dervishi