Minatorët e Kombinatit Trepça në Kosovë hynë në grevë të përgjithshme, duke i fajësuar institucionet se nuk i kanë plotësuar kërkesat e tyre. Punëtorët kërkojnë që të gjitha vendburimet përreth Trepçës dhe të gjitha zonat e interesit të përfshihen në draft-statutin e kombinatit Trepça.
Ata po ashtu kërkojnë që t’iu njihet përvoja e punës, siguria shëndetësore në punë, si dhe pensioni të jetë 70 përqind i pagës. Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Shyqri Sadiku, tha se minatorët i kishin dhënë afat Qeverisë që deri të hënën (sot, 9 korrik) t’i plotësonte kërkesat e tyre, por, siç tha ai, ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga institucionet përkatëse.
“Minatorët kanë marrë vendim që sot të hyjnë në grevë të përgjithshme. Greva do të vazhdojë, por nuk e di deri kur. Greva po mbahet në Stantërg. Gjithashtu ka filluar greva edhe në Artanë (Novobërdë) dhe Kishnicë. E gjithë Trepça është në grevë, të gjitha njësitë”, tha Sadiku për Radion Evropa e Lirë.
Minatorët e Trepçës, muajin e kaluar, kanë hyrë në grevë njëorëshe dhe kanë parashtruar kërkesat e tyre ndaj institucioneve.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, më pas, ka kërkuar afat prej dy javësh për t’i shqyrtuar kërkesat e minatorëve. Por, sipas Shyqri Sadikut, ky afat ka skaduar sot.