Largimi i Cristiano Ronaldos la një boshllëk të madh te Reali i Madridit, por vetëm pasditen e djeshme, Florentino Perez qetësoi tifozët madrilenë, duke u premtuar se merkatoja do të jetë spektakolare dhe se portugezi do të zëvendësohet më së miri.
Mediat spanjole raportojnë se do të jetë pikërisht Neymar, futbollisti që do të marrë vendin e CR7-ës te Reali, ndërsa Perez po përgatit një ofertë prej rreth 250 milionë eurosh për kartonin e tij.
Pas shkëlqimit të Mbappesë në Kupën e Botës, Neymar nuk cilësohet më si i pashitshëm nga presidenti i PSG-së, por edhe nga trajneri Tuchel, që vlerëson më shumë disponibilitetin e francezit, sesa tekat e brazilianit.
Aktualisht Neymar është me pushime dhe vetëm më pas pritet të ulet në tavolinë me drejtuesit e të dy skuadrave, për të diskutuar mbi kushtet e transferimit.
Gjithsesi, Perez ka gati edhe planin B, nëse nuk do të arrijë dot te Neymar. Bëhet fjalë për yllin belg të Chelseat, Eden Hazard, i cili ka shprehur edhe vetë dëshirën për t’u larguar nga Londra dhe për të nisur një eksperiencë të re në Madrid.