Samiti Trump- Putin i zhvilluar gjatë kësaj jave në Helsinki, si dhe reagimet që pasuan këtë takim të dy liderëve është në fokus të materialit të përgatitur nga gazetarja Dorina Kurtaj, në rubriken e saj të përjaveshme “INSIGHT”.
“President, po ju kujt i besoni?”.
Pyetja e gazetarit të Associated Press është çelësi për të lexuar samitin e dhuratave që ndodhi në Helsinki. Kujt i beson presidenti Trump, për çështjen “Russiagate”? Pesë agjencive investigative amerikane, kryesisht FBI dhe CIA, që akuzojnë rëndë Rusinë dhe njeriun me të cilin u takua, apo i beson premtimeve që Vladimir Putin, President i Federatës Ruse, i përsëriti sërish? Donald është një pritës i madh sipas analistëve dhe politologëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jo vetëm. Merr goditjen dhe më pas vendos se kujt do t’i besojë: jo agjencive amerikane, por Vladimir Putinit. Presidenti amerikan u shpreh se kishte diskutuar gjatë për zgjedhjet amerikane dhe “Russiagate” dhe kishte marrë një shpjegim interesant nga ana e Putin. Shpjegim që duhet të ketë përforcuar bindjen të cilën Trump e mbroi që nga Helsinki: “Russiagate” është një farsë!
Por kreu i Shtëpisë së Bardhë e ka artikuluar më qartë deklaratën e tij, duke thënë se kishte preferuar të fliste personalisht dhe shumë qartë me Putin për ndërhyrjet ruse në zgjedhjet amerikane. Sipas Trump ishte më mirë që ta dorëzonte mesazhin personalisht dhe pasi folën shumë gjatë me homologun rus, zbuloi se Putin e kishte shumë për zemër këtë argument. Kreu i Kremlinit përsëriti për të disatën herë në konferencën e përbashkët për shtyp se nuk ka pasur asnjëherë ndërhyrje ruse në zgjedhjet presidencisle amerikane. Dhe presidenti amerikan e mbështet vetëm pak minuta më vonë: Unë e munda ndershmërisht Hilari Klinton
Fjalë që nuk u pritën aspak mirë nga drejtori i shërbimit kombëtar amerikan të inteligjencës, Dan Koats, sipas të cilit, përfundimet e inteligjencës amerikane janë të qarta dhe Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të 2016-s.
Traktati i Helsinkit në fakt bazohet pikërisht te kjo: Unë të jap diçka ty dhe ti më jep diçka mua. Putin i ofroi Trump një sqarim për Russiagate, ndërsa Trump i ofroi Putin Europën. Një shkëmbim, i cili shkaktoi në kohë reale reagimet e indinjuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe jo në radhët e miqve liberalë dhe socialistë të Berni Sanders.
Senatori republikan Xhef Flejk shkruan në Twitter se nuk e kishte menduar asnjëherë se do të shihte ditën ku presidenti amerikan akuzon Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një agression rus. Dhe kjo është një gjë e turpshme.
Anderson Kuper një nga gazetarët kryesorë të CNN, i cili ndoqi dhe konferencën për shtyp të Putin e Trump në kohë reale si kolegët e tij, u shpreh se ajo e Trump ishte performaca më e turpshme e një presidenti amerikan përballë një lideri rus.
Ndërsa ish-drejtori i CIA-s, Xhon Brenan, e cilësoi konferencën për shtyp në Helsinki si një sulm ndaj shtetit amerikan, duke shtuar se jo vetëm komentet e Trump ishin idiote, por kreu i Shtëpisë së Bardhë tashmë ndodhet në xhepin e Putin. Më pas, ai i bën thirrje republikanëve të reagojnë: Patriotë republikanë ku jeni?
Ndërsa për temat e tjera në takimin e Helsinkit, u fol shumë pak, u premtua shumë, por në thelb qëndrimet nuk kanë ndryshuar. Përkundrazi përsa i përket Iranit, Krimesë, garën e armatimit, të dy gati nënshkruan një marrëveshje mes sovranistëve. Samiti i Helsinkit mes Donald Trump e Vladimir Putin ka një vlerë historike jo vetëm për atë që dy presidentët thanë në konferencën e përbashkët për shtyp, apo diskutuan në takim.
Organizimi i takimit në tokën finlandeze është historik pasi ndodh në epokën e “post–të vërtetës” ku tregimet janë më të rëndësishme se realiteti dhe realiteti është një perceptim. Kështu pasi prishi samitin e G7-s në Kanada, duke kritikuar NATO-n dhe duke poshtëruar Bashkimin Europian, duke e konsideruar si armik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Trump preferon të zgjedhë një mik të ri, Rusinë e Vladimir Putin.
Por një gjë duhet të jetë e qartë: në Helsinki nuk u celebrua një martesë me dashuri, por një marrëveshje mes sovranëve dhe është një marrëveshje që do të peshojë, sidomos në luftën në Siri dhe pritet të shtrihet në skenare dhe dosje të nxehta si: Ukrainë, Iran, Kore e Veriut, armatimi bërthamor, lufta kundër terrorizmit dhe deri në çështjen e “Russiagate”.
Në Helsinki, Trump ka historinë e tij për të treguar: “Marrëdhënia me Rusinë nuk kaq qenë asnjëherë më e keqe se kaq, falë shumë vite çmendurie dhe budallallëku nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe tashmë gjuetia e shtrigave.”
Është ky reflektimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë në profilin e tij në Twitter, pak orë pas përfundimit të samitit. Tramp vetë akreditohet si shpëtimtar i NATO-s dhe gjatë takimit me presidentin finlandez Niinistö, sapo mbërriti në Helsinki, ai deklaroi se NATO nuk ka qenë asnjëherë kaq e fortë sa sot. Realiteti është ndryshe, por kjo shumë pak ose aspak rëndësi për Trump. I rëndësishëm është mesazhi i dhënë nga mbështetësit e motos së tij “Amerika në vend të parë”: mund t’i besohet konkurentit rus, por jo dhe aq europianëve që bëjnë lojë të dyfishtë dhe mbi të gjitha aspak dragoit kinez me të cilin Trump është përfshirë në një betejë tarifash.
Duke hyrë në takim, në hollin gotik të pallatit presidencial të blinduar, ndërsa jashtë kishte protesta të Femen e Greenpeace, Trump shprehet se është moment për të folur për marrëdhëniet mes dy vendeve. Pasi janë të shumta temat ndërkombëtare me të cilat duhet të përballen.
Është bukur të jesh këtu me ty, i thotë Trump–Putinit, duke i dhënë dorën. Dhe Putin përgjigjet: kontaktet mes nesh vazhdojnë, kemi biseduar në telefon dhe jemi takur në evente të ndryshme ndërkombëtare. Por tashmë është momenti për të folur në mënyrë të veçantë për marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe pikave të rëndësishme ndërkombëtare që janë të shumta.
Qëndrimi, pushimet dhe komplimentet, gjuha trupore flet më shumë se çdo deklaratë. Deklarata që shpesh janë të varura nga rrethanat, duke vizatuar një klimë kordialiteti shumë të largët nga ajo në samitin e NATO-s.
Bashkëbisedimi mes dy presidentëve zgjati më shumë se dy orë, një tregues i rëndësishëm dhe aspak i parashikuar. Besoj se është një fillim i mirë, shprehet Trump menjëherë pas takimit, i mbështetur dhe nga deklarata e Putin në konferencën e përbashkët për shtyp:
Duhet të hedhim pas krahëve këtë klimë prej lufte të ftohtë, nuk ka nevojë për përlasje pasi situata ka ndryshuar. Duhet të përballemi me sfidat e përbashkëta, terrorizmin gjithnjë në rritje dhe krimin ndërkombëtar. Oër të mos folur për problemet ekonomike dhe ato të ambientit.
Sipas kreut të Kremlinit, ky takim ishte i një rëndësie të veçantë përsa i përket problemit të armatimit bërthamor. Putin është i sigurtë se të dy vendet do të vazhdojnë bashkëpunimin përsa i përket ç’armatimit. Putin shkon dhe më tej me optimizmin e tij, duke thënë se biseda me Trump u zhvillua në një atmosferë të sinqertë dhe miqësore, dhe se patjetër do të japë frytet e saj. Trump nuk humbet rastin për ta komplimentuar homologun rus, por dhe veten duke thënë se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë ndryshuar për mirë brenda katër orëve dhe se ai po ndërmerrte një rrezik politik për të shpëtuar paqen.
Kreu i Kremlinit, nga ana e tij premtoi se Rusia do të jetë e gatshme të ruajë tranzitin e gazit rus nëpërmjet Ukrainës dhe pas ndërtimit të gazsjellësit Nord Stream 2. Madje do të zgjasë kontratat e tranzitit të gazit në Ukrainë që skadojnë në 2019-n. Por Trump u ndal gjatë në gabimin e Moskës në rastin e aneksimit të Krimesë. Edhe pse Putin në këtë çështje është shumë i prerë që për Rusinë, Krimea është një çështje e mbullur sepse aneksimi ndodhi pas një referendum që u mbajt sipas ligjeve. Edhe pse për Trump nuk e sheh kështu e vetë presidenti rus e pranon me një fjali të shkurtër së për kreun e Shtëpisë së Bardhë aneksimi është i paligjshëm. Por nuk do të ishte Kriema ajo që do të prishte armosferën e takimit, dhe për këtë arsye Vladimir Putin i dhuron një tup futbolli homologut të tij amerikan, duke i thënë se tashmë topi është në fushën e tij.
Takimi përfundon, dhuratat shpërndahen. Por pyetja: President ju kujt i besoni?” do e shoqërojë Trump për shumë kohë.
Donald Trump u kthye nga një samit për t’u harruar me Vladimir Putin, por nuk do të jetë e lehtë për të. Në atdhe e prisnin kritikat dhe jo vetëm nga kundërshtarët politikë. Në takimin me liderin rus ai u shfaq i dobët dhe i papërgatitur.
Aq sa u detyrua, sapo mbërriti në Uashington, që të mbrohej dhe të ndryshonte totalisht qëndrimin e tij. Pas takimit me gazetarët në zyrën ovale pas kthimit nga Helsinki, Trump theksoi dhe njëherë se besonte në agjencitë amerikane të inteligjencës. Duke shtuar se ishte shprehur keq në Helsinki, përsa i përket ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-s. Tashmë ai i pranon përfundimet e tyre: Rusia ka ndërhyrë në zgjedhje, por pa pasur impakt në rezultatin e tyre. Shtëpia e Bardhë do të bëjë çdo gjë për të mbrojtur zgjedhjet e ardhshme të muajit Nëntor.
Mes kritikave, ajo më e forta ishte e ish-presidentit demokrat, Barack Obama, nga Afrika e Jugut: doli zbuluar nga një ekzil politik i vetëzgjedhur me një fjalim në mbrojte të demokracisë dhe kundër burrave të fortë të politikës, liderëve autoritarë që mbështesin politikën e mashtrimit, të frikës dhe zemërimit.
Polemikat nisën menjëherë pasi kreu i Shtëpisë së Bardhë mbështeti deklaratat e Putin se Rusia nuk kishte asnjë arsye për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane dhe as nuk e kishte bërë një gjë të tillë. Me kalimin e orëve nga ajo deklaratë, Nju Jork Tajms e vuri theksin te dhurimi i topit të futbollit, dhe në cilën fushë ndodhej ai. Kjo duke kritikuar bashkëpunëtorët e Tramp në Shtëpinë e Bardhë, të cilët para takimit prisnin një provë bashkëpunimi nga ana e Moskës.
E nëse samiti me Putin ishte një dështim, është akoma më e vështirë të nxirren përfundime për pasojat e sakta. Politika e jashtme e motos “Amerika në vend të parë” mbetet një enigmë që rëndohet nga humori i një presidentik i cili i frikësohet planeve për largimin e tij nga Shtëpia e Bardhë. Një president i cili alternon agresione politike e tregtare, me vende miq, dhe me afrime me lider të konsideruar si armiqësor Putin e Kim Jong-un. Një enigmë që mund të zbehë dhe më shumë besimin transatlantik duke përhapur ndjesi kaotike.
Por gjithashtu nuk dihet qëndrimi që do të mbajnë bashkëpunëtorët e tij dhe republikanët më në zë për ta ndaluar Tramp në marrjen e vendimeve të gabuara. Qoftë duke e kritikuar atë.
Dorëheqje të bujshme në administratë pas atij që u konsiderua një samit dramatik nga analistët, nuk pati. Dhe pak muaj larg zgjedhjeve të mes mandatit në Nëntor, të gjithë bëjnë llogaritë me një president që falë populimit të tij mbetet popullor mes militantëve dhe votuesve besnikë me një nivel mbështetjeje prej 90%./abcnews.al